Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Koment i Sures Kasas

View previous topic View next topic Go down  Message [Page 1 of 1]

1 Koment i Sures Kasas on Tue Sep 29, 2009 11:36 am

nDeRiM


.
.
Surja Kasas, fokusohet kryesisht në historinë e profetit Musa a.s që nga koha e lindjes, fëmijëria, rinia, martesa, kthimi në Egjypt dhe triumfi kundër Faraonit.

Veç Musait a.s, përmendet dhe dënimi që kaploi Karunin.

Pas çdo etape të jetës së Musait a.s, në këtë sure hasim edhe disa komente të rëndësishme. Kjo sure nuk fokusohet shumë mbi hebrenjtë dhe problemet që lindën mes tyre dhe Musait a.s.

Kjo sure, iu shpall Profetit a.s në kohën kur ai po emigronte nga Meka për në Medine. Ndarja nga qyteti i vendlindjes ishte shumë e rëndë për Profetin a.s. Ndërkohë që ishte nisur rrugës për në Medine, Profeti a.s i hodhi sytë nga Meka dhe me sytë plot lot tha:" Veç Zoti e di që ti je vendi më i dashur në zemrën time dhe nëse populli im nuk do më kishin përzënë, nuk do të isha larguar kurrë.”



Besimi dhe siguria në premtimin e Zotit

Boshti dhe objektivi kryesor i sures Kasas është besimi dhe siguria në premtimin e Zotit. Kurrë mos dyshosh në atë që ka premtuar Zoti.

Kjo sure, përmend premtimin që Zoti i bëri nënës së Musait kur e hodhi djalin e saj në lum:

"Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)

Këto ajete i shpalleshin Profetit a.s ndërkohë që ai sapo kishte lënë Meken dhe ishte nisur drejt Medines.

Një premtim i tillë i bëhet edhe Profetit a.s në një ajet tjetër të kësaj sureje, ajet i cili thotë:

"Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë)." (Kasas, 85)

Njerëzit që luftojnë dhe vuajnë për t\'a çuar në vend mesazhin e Zotit, janë shumë të shtrenjtë dhe të dashur për Zotin. Duke i treguar historinë e Musait a.s, Zoti kërkon t\'a qetësojë dhe t\'a sigurojë Profetin a.s se edhe ai do të kthehet sërish në Meke, ashtu siç u kthye Musai a.s tek nëna e tij. Nëse nga Meka po del i përndjekur nga kurejshët, do të kthehesh si triumfator.



Musai në Medjen.

Pasi u largua nga Egjypti dhe u vendos në Medjen, profeti Shuajb i bëri një ofertë:

"Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” (Kasas, 27)

Edhe pse Shuajbi a.s i kërkoi të shërbejë vetëm tetë vjet në këmbim të martesës me njërën nga vajzat e tij, Musai a.s qëndroi dhjetë.

Profeti Muhamed a.s e mori Meken tetë vite pasi kishte emigruar prej saj. Kurse në vitin e dhjetë të emigrimit, Profeti a.s ndërroi jetë, pasi tashmë mesazhi ishte plotësuar. Shohim që paralelizmat mes historisë së Musait a.s dhe asaj të Profetit a.s pas emigrimit janë të shumta.

Si profeti Musa a.s ashtu edhe profeti Muhamed a.s, dolën nga vendlindjet e tyre të frikësuar dhe të përndjekur.

Me këtë, sikur Zoti na thotë: Ju jeni umet që do të kaloni momente të vështira, vallë a jeni të sigurtë dhe të bindur që Zoti do e mbajë premtimin e Tij? A besoni dhe jeni të bindur që Zoti do e përkrahë këtë umet dhe t\'i kthejë lavdinë që i ka munguar kaq shekuj?

Thotë Zoti në Kuran:

"Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët." (Nur, 55)



Ajetet e para të sures Kasas

"Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë." (Kasas, 2-3)

Vetëm besimtarët janë ata që i besojnë dhe janë të sigurtë mbi realizimin e premtimeve të Zotit.



Atmosfera ku lindi dhe u rrit Musai a.s.

"Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës." (Kasas, 4)

Kjo ishte dëshira, planet dhe strategjia e Faraonit me hebrenjtë dhe popullin e Musait a.s. Kurse Zoti kishte një plan tjetër:

"Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin." (Kasas, 5-6)



Si do të realizohet vullneti i Zotit?

Padyshim që vullneti dhe dëshira e Zotit do të realizohet, por për këtë Zoti ka caktuar ligje. Një ndër këto ligje është faktori kohë dhe përgatitje. Fillimi i realizimit të premtimit të Zotit është që nga ajeti:

"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)

Me parametrat njerëzorë, nëse dikush frikësohet për fëmijën e tij vetëm t\'a hedhë në lumë nuk i shkon mendja kurrë. Nëse dikush frikësohët për jetën e fëmijës së tij, duhet t\'a fshehë atje ku nuk i shkon mendja kujt tjetër, por jo t\'a hedhë në lumë. Por nëse vetë Zoti të premton që në këtë mënyrë Musai a.s do të shpëtojë, atëherë besoje. Jo vetëm që do ia kthejë nënës djalin e saj Musain a.s, por edhe do e nderojë me titullin "I dërguar i Zotit."



Në familjen e armikut

Rrjedha e lumi ujit e çoi Musanë a.s mu para shtëpisë së Faraonit, atij që kishte urdhëruar të vriteshin të gjithë foshnjet meshkuj të sapolindura nga hebrenjtë.

"Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë." (Kasas, Cool

Zoti e mbushi zemrën e gruas së Faraonit, me dashuri për këtë foshnje të sjellë nga lumi përballë shtëpisë së saj.

"Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin." (Kasas, 9)



Roli i gruas

Në suren Kasas, del në pah shumë qartë roli i gruas në jetën e profetit Musa a.s. Fillimisht, kjo shfaqet në bindjen dhe sigurinë e nënës së Musait a.s tek premtimi i Zotit. Ajo pranoi t\'a hedhë foshnjen e saj të dashur në lumë, thjesht pasi i besoi premtimit dhe fjalës së Zotit.

"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)

Më pas, roli i gruas duket tek e shoqja e Faraonit. Ajo arriti t\'ia mbushë mendjen burrit të saj, për t\'a mbajtur foshnjen e gjetur në lumë dhe për t\'a rritur në shtëpinë e tyre.

Një rol të rëndësishëm ka edhe motra e Musait a.s, e cila bëri ç\'mos derisa e gjeti të vëllanë dhe e bindi familjen e Faraonit që t\'a ushqejnë me qumështin e nënës së tij.

"Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët. Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë." (Kasas, 11-13)

Roli i femrës duket qartë edhe tek vajza e Shuajbit, e cila duke para besueshmërinë, moralin dhe edukatën e Musait, i tregoi të atit mbi Musanë:

“Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha: “Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!

”O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas, 26-27)

Më pas, Musai a.s u martua me këtë vajzë dhe i shërbeu babai të saj për dhjetë vite.

Të gjithë këto mesazhe mbi rolin e fuqishëm të gruas, i drejtoheshin profetit Muhamed a.s, për t\'a vlerësuar rolin e saj. Ajo që i qëndroi pranë dhe i dha kurajo Profetit a.s natën e parë kur iu shfaq Xhibrili a.s ishte gruaja e tij. Po ajo i qëndroi pranë dhe e përkrahu me gjithçka që kishte. Martirja e parë në islam është një grua, Sumejje.

Premtimi i Zotit do të realizohet patjetër, por ti o besimtar duhet të kryesh rolin dhe misionin tënd. Misioni dhe roli që pritet prej teje është që të shfrytëzosh çdo mundësi që të jepet. Profeti Musa a.s dhe profeti Muhamed a.s nuk linin rast pa shfrytëzuar dhe i kushtonin rëndësi të madhe rolit të gruas.



Premtimi vonon, por nuk harron.

Në ajetin shtatë, Zoti i drejtohet nënës së Musait me fjalët:

"Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë.” (Kasas, 7)

Diçka e tillë padyshim që do kohë, por do të realizohet dhe premtimi do të mbahet. Në ajetin trembëdhjetë, Zoti thotë:

"Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë." (Kasas, 13)

Zoti ia ktheu djalin që ajo dhe kushdo tjetër t\'a dijë, se premtimi i Zotit do të mbahet sido qofshin rrethanat.

Nëse Allahu e ka caktuar që këtij umeti t\'i rikthehet lavdia, patjetër që do i kthehet, sikur e gjithë bota të dalë kundër. Por kjo kërkon besimtarë që përpiqen dhe nuk lënë gurë pa lëvizur, ashtu siç veproi nëna e Musait për t\'a fshehur nga ushtarët e Faraonit.

Përveç se i premtoi se do ia kthejë djalin, Zoti i madhëruar i bëri dhe një premtim tjetër nënës së Musait: "dhe do ta bëjmë të dërguar"(Kasas, 7)

Ky premtim, do të realizohet vetëm pas dhjetëra viteve. Gjatë udhëtimit me familjen, Musai a.s shikon një dritë dhe kur afrohet dëgjon një zë:

"Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!" (Kasas, 30)



Premtim tjetër.

"Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”. (Neml, 35)

Ky është një premtim dhe një garanci tjetër nga ana e Zotit, që i bëhej Musait a.s. Vetëm disa ajete më poshtë, shohim që ky premtim u mbajt nga Zoti.

"Por Ne e kapëm atë (Faraonin) dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!" (Neml, 40)





Premtimet për profetin Muhamed a.s.

Në ajetet e mësipërme, pamë që të gjithë premtimet që Zoti i madhëruar i kishte bërë Musait a.s, i kishte mbajtur. Po premtimet që Ai ia bëri profetit tonë, Muhamedit a.s, a i mbajti?

Zoti i madhëruar i premtoi Profetit a.s gjatë emigrimit për në Medine, se do e kthejë sërish në Meke.

"Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë)." (Kasas, 85)

Vetëm dhjetë vite më vonë, Profeti a.s do të kthehet si triumfator në Mekë, do të urdhërojë të thirret ezani për herë të parë mbi Qabe dhe i gjithë Gadishulli Arabik do pranojë besimin e pastër islam. Ashtu siç u mbajtën të gjithë premtimet e bëra për Musanë, u mbajtën edhe premtimet e bëra për Profetin a.s.

Ashtu siç u mbajtën premtimet e bëra për Musanë a.s dhe profetin Muhamed a.s, u mbajtën edhe premtimet e bëra për besimtarët e pafuqishëm asokohe.

"Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë." (Kasas, 5)



Vetë Profeti a.s e mbante premtimin.

Gjatë rrugës për në Medine, Profetit a.s dhe Ebu Bekrit u ishte vënë pas Suraka ibnu Malik. Duke i kapur ose vrarë, ai synote të fitojë çmimin e majmë që kurejshët kishin vënë për këdo që i sjell ata të dy gjallë ose vdekur. Kur i arriti dhe u bë gati t\'i qëllojë me shigjetë, kali i tij u rrëzua dhe bashkë me të edhe Suraka. Kjo i ngjau edhe dy herë të tjera.

Tregon vetë Suraka: “Atëherë e kuptova se ky njeri është i mbrojtur nga të bërit keq.”

Pas kësaj, Suraka i thërret profetit (a.s): “O Muhamed, të lutem më mbro.”

Profeti a.s i përgjigjet:”I mbrojtur je.”

Suraka i tha përsëri:”O Muhamed, më jep të paktën diçka”.

Profeti a.s i thotë: “Të premtoj se do të të jap byzylykët e Kisras”.

I hutuar Suraka e pyet: “Cilit Kisra, mbretit të persëve?!”

“Po!” - i thotë Profeti a.s.

“Megjithëse nuk isha musliman -tregon Suraka- e besova dhe i thashë përsëri: “A ma premton këtë të shkruar në letër, o Muhamed?”

“Po!” -i thotë profeti dhe urdhëron Ebu Bekrin që t’ia shkruajë në letër këtë premtim.

Suraka e morri letrën dhe e ruajti këtë letër, megjithëse nuk kishte pranuar akoma islamin.

Më vonë, muslimanët hyjnë në Meke si triumfatorë dhe Suraka pranon islamin.

Pasi vdes Profeti a.s dhe udheheqës i muslimanëve ishte Umeri, muslimanët fituan ndaj persëve dhe të gjitha pasuritë e Kisras, mbretit të persëve, i sjellin në Medine për t’i ndarë mes njerëzve. Bashkë me pasuritë e tjera ishin dhe byzylykët e tij, të cilët profeti (a.s) ia pati premtuar Surakas. Omeri ngjitet në minber, ku fillon të qajë dhe thërret Surakan. Vjen Suraka që tashmë ishte një burrë i moshuar dhe afrohet tek Umeri r.a i cili i thotë:”O Suraka, i dërguari i Zotit të premtoi byzylikët e Kisras. Merri tani dhe vishi në duart e tua që t\'a besojnë njerëzit!”

Vetë Suraka dhe të gjithë njerëzit që ishin në xhami fillojnë të qajnë me të madhe dhe thonin:”Të vërtetën ka thënë i dërguari i Zotit, të vërtetën ka thënë.”



Zgjuarsia e Umer ibnul Hattabit

Halifeja i tretë musliman, Umer ibnul Hattabi emëroi Ammar ibnu Jasir si guvernator të Irakut. Ai do e ushtronte këtë detyrë vetëm për një muaj. Duke ditur aftësitë e tij modeste, Umeri dërgoi dhe Abdullah ibnu Mes\'udin t\'a ndihmojë. Pasi kaloi një muaj, Umeri emëroi një guvernator tjetër.

Duke i parë këto ndryshime, dikush e pyeti Umerin:"Përse e emërove vetëm për një muaj o Prijës i besimtarëve?"

Umeri ia ktheu:"Unë lexova Kuranin dhe pashë që të gjithë premtimet e Zotit ishin mbajtur dhe realizuar. Duke lexuar ajetin:

"Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë." (Kasas, 5)

Më vajti mendja tek Ammari i cili është shtypur dhe i është bërë padrejtësi. Prandaj vendosa t\'a emëroj qoftë dhe për një muaj të vetëm, si guvernatorin e Irakut, që të realizohet edhe ky premtim i Zotit në Kuran."



Për kë janë premtimet e Zotit?

Kësaj pyetjeje i përgjigjet ajeti:

"Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat." (Kasas, 83)

Premtimet e Zotit janë për ata që janë modestë dhe jo mendjemëdhenj, për ata që nuk bëjnë ngatërresa dhe shkatërrim në tokë. Për ata që nuk ndikojnë për degjenerimin e shoqërisë. Për ata që adhurojnë Zotin dhe i binden Atij me përkushtim.

Pikërisht ky ajet ishte dhe fjala e fundit që tha Umer ibnu Abdul Azizi para se të vdesë.

"Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat." (Kasas, 83)



Karuni dhe pasuria

Surja Kasas përfundon me historinë e Karunit, i cili përfaqëson modelin e njeriut që u mashtrua nga pasuria e shumtë, pushteti dhe posti.

"Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten." (Kasas, 81)



Përse kjo sure mori emrin Kasas?

Fjala "kasas" do të thotë të ndjekësh gjurmët e diçkaje derisa të arrish objektivin. Nëse ti o besimtar do i ndjekësh gjurmët që përmenden në këtë sure, në fund do të shohësh që premtimi i Zotit do të realizohet. Studioji historitë që përmenden në këtë sure dhe shihe nëse janë mbajtur premtimet që u bëri Zoti apo jo.

Umeti musliman sot përjeton një gjendje amullie të mbushur me sfida dhe vështirësi. Problemet dhe vështirësitë janë shumë të ngjashme me ato të cilat u përballën profeti Muhamed a.s dhe muslimanët e tjerë. Zoti u premtoi se do i ndihmojë dhe do të triumfojnë dhe ashtu ndodhi. Zoti na ka premtuar edhe neve se do na ndihmojë dhe se ky umet do të triumfojë, por kjo kërkon durim, maturi, përpjekje dhe punë të vazhdueshme. Allahu i madhëruar është i aftë për gjithçka. Allahu do e përkrahë dhe do e ndihmojë këtë umet, por nëse do të jemi besimtarë të vërtëtë.

"Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat." (Kasas, 83)

"Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë." (Kasas, 5)

Thotë Profeti (a.s.) në një hadith:“Zoti ma afroi mua token dhe pashë që feja jonë do të përhapet në të gjithë pjesën e tokës që më afroi mua Zoti”

Beso dhe ji i sigurtë në premtimin e Zotit, puno me përkushtim, ji i suksesshëm në jetë, se Zoti do e përkrahë këtë fe.

"Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Jusuf, 21)

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
http://www.vizion-islam.com/

View previous topic View next topic Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Forum create on Forumotion | © PunBB | Free forum support | Contact | Report an abuse | Free forum