Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Qëndrimi Islam kundrejt teprimit në fe

View previous topic View next topic Go down  Message [Page 1 of 1]

1 Qëndrimi Islam kundrejt teprimit në fe on Sat Oct 10, 2009 2:57 am

QeNdRiM


.
.
Me emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!


Njëmendësia e botës, prej fillimit dhe, sigurisht, deri në perëndimin e saj, është llojllojshmëria dhe varieteti i besimit. Në të shumtën e rasteve njerëzit janë të hutuar me këtë fakt dhe pranojnë kryesisht atë që kanë takuar ose të parën që u është ofruar. Nëse vitet e pesëdhjeta të këtij shekulli kanë qenë të karakterizuara me skepticizëm, të tetëdhjetat duket se kanë sjellë njëfarë naiviteti të ri.

Që të mund të thuhet se në botën e ideve dhe besimeve, në mesin e ideve dhe besimeve, nuk ekzistojnë kufijtë dhe pengasat rigoroze. Kjo, është e kuptueshme, ka për pasojë qarkullimin më të madh dhe mundësinë për përdorim më të madh të lajmeve dhe përvojave nga bota e ideve dhe besimeve, që deri para pak kohësh ka qenë e ndarë dhe "ajo bota tjetër". Bota bashkëkohore është bërë e ngjashme me shtëpinë e madhe të mallrave: para sysh na qëndrojnë një mori gjëra dhe ide. Çdo gjë mund të merret lehtë, por, po ashtu, edhe të lihet lehtë. Bindjet qoftë filozofike, qoftë politike, qoftë fetare, ndërrohen shumë lehtë. Në të vërtetë, shumësia e religjioneve, që janë pjesë e fatit tonë botëror, gjithnjë e më shumë dëfton që llojllojshmëria e jashtme, në të vërtetë, nuk është e tillë çfarë duket po të shikohet më me vëmendje dhe më thellë. Qindra kategori konfirmohen për të gjitha religjionet e botës. Është e qartë, po kështu se ngjashmëritë dhe fushat e përbashkëta, përfshijnë hapësirë shumë më të madhe sesa dallimet. Por, që t'i konfirmojmë këto ngjashmëri dhe dallime, që t'i kuptojmë, paraprakisht duhet të lirohemi nga paragjykimet që i bartim.


Për ta kuptuar fundamentalizmin, që është objekt i shqyrtimit tonë, duhet të shtrohet pyetja vendimtare e rëndësisë teorike dhe praktike: si të vëzhgohet kjo dukuri pa e katandisur këtë vëzhgim në rrënimin mizor të dialogut, si t’i qëndrojmë besnikë porosisë kur'anore:

"... Diskuto me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë….!” (En Nahl, 125)?

Kjo pyetje, pastaj, shtrihet në një kurorë të madhe (druri) degësh:

Si të bëhet që vëzhgimet e ndryshme të plotësohen reciprokisht? Kur i përkasim këtij apo atij versioni të fundamentalizmit dhe kur nuk i takojmë asnjërit, si do ta sendërtojmë detyrën tonë të vëmë rend në Tokë dhe paqe ndër njerëzit, në frymën e urdhrit kur'anor:

"... Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni All-llahut sepse Ai dënon ashpër.” (El-Maide, 2)?

Si do të sigurojmë që mozaiku i botës, dallimet mes njerëzve dhe llojllojshmëria e ideve të bëhen pasuri e botës e jo shkaqe të ekskluzivitetit dhe dhunës, në dritën e parimit kur'anor:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El-Huxhurat, 13)?
Si do ta përcjellim ndjenjën për korrektësinë e bindjeve tona te të gjithë njerëzit e që gjatë kësaj të bëjmë mirë e jo dhunë, si e urdhëron këtë Kur'ani shprehimisht:

"... Diskuto me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë….!” (En Nahl, 125)?

“Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë? (Junus, 99).

Si do t'i kundërvihemi dhunës së atyre që besimin e vet e imponojnë me dhunën që e kanë në dorë, dhe si do t’u përgjigjemi fyerjeve të atyre që fyejnë ata që besojnë dhe mendojnë ndryshe, përkatësisht: si të mbetemi gjithnjë në pozicionet kur'anore:

“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë e padrejtë, e All-llahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve). (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “All-llahu është Zoti ynë!” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.” (El-Haxhxh, 39-40);

“All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (El-Muntehane, 8-9);

por edhe në pozicion të parimit të lartësuar kur'anor:

“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë.” (El-Fussilet, 34-35);

“Ti të keqen kthe me më të mirën. Ne e dimë më së miri atë që shpifin ata.” (El-Mu'minun, 96)?

Dhe së këndejmi, që të mund të kuptojmë fundamentalizmin, cilindo dhe të kujtdo, është e domosdoshme qasja së paku nga dy anë: Fundamentalizmi për bartësin e tij është rruga e rendit dhe rregullimit, rruga e zhdukjes së çrregullimit dhe e dhunës në Tokë, rruga e çlirimit dhe e ngritjes shpirtërore, rruga e paqes dhe e njohjes - kur është fjala për fundamentalizmat "klasikë” dhe të "reformuar". Për fundamentalistin, njeriu është “rrëmbyer” nga natyra e vet vetjake dhe në botën kaotike është robëruar dhe u shërbeu vlerave të shtrembra dhe zotave të rrejshëm. Dija shkencore, sikurse dhe dituria në tërësi, është, pohon ai, moralisht e papërcaktuar dhe, së këndejmi, njeriu e ka më të nevojshme fenë sesa diturinë e tillë. Britmat për jetën moderne, çiltërinë dhe tolerancën ndaj fundamentalistëve kryesisht nuk janë joshëse pasi ata shohin mohimin e tyre, në morinë e shkurorëzimeve, prostitucionit, alkoolizmit, vrasjeve, në zbehtësinë e qyteteve të mëdha, varfërinë dhe mjerimin e periferisë. Për fundamentalizmin “klasik” po edhe të "reformuar” këto janë thjesht prova që shoqëria moderne shkon në drejtim të gabuar. Në anën tjetër, vëzhguesve dhe të gjithë atyre që nuk janë fundamentalistë, që nuk mund ose nuk duan t'i kuptojnë fundamentalistët, e gjitha kjo u duket si shumë e rreptë dhe e vendosur, ata në të depozitojnë frikën e vet, paragjykimet e veta, të motivuar me përcaktimin fetar, me pikëpamjen politike, me interesim ekonomik, me trashëgiminë historike, etj.

Fundamentalizmi qëndron në të pranuarit e tërësisë së besimit dhe vlerave; kjo strukturë përfshin tërë jetën; asaj nuk i mbetet asgjë jashtë rrezes, as mënyra e të folurit, as mënyra e të veshurit, as mënyra e të ulurit, as mënyra e ushqimit, as raporti kundruall krijimit, tekstualisht - ai i përfshin të gjitha pjesët e jetës së njeriut prej fillimit - deri në fund. Kështu, sipas këtij përkufizimi, fundamentalistë quhen edhe pankerët, siti xhentëlmenët, rokerët - ata kanë besime dhe vlera të përbashkëta sipas të cilave e rregullojnë jetën e vet. Ajo që për ta është krejtësisht e justifikueshme, inteligjente dhe e pranueshme për të tjerët nuk është as e justifikueshme, as inteligjente, as e pranueshme.

Fundamentalizmi në mendimin evropian shënon besimin që zë fill në Bibël si burim të dorës së parë ose "fundament". Vetëm në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të këtij shekulli ky nocion fillon të lidhet pas Islamit dhe muslimanëve. Ky përdorim i tij, natyrisht, në tërësi shpreh bindjen evropiane që "çelësi evropian", në të vërtetë, është krejt i përshtatshëm për të çelur çdo bravë të çdo thesarë të dijes, që është gjithësesi mashtrim i madh. Dhe këtu tash hapen çështje të tjera: A është sendërtuar zgjerimi i nocionit “fundamentalizëm” në fushat dhe dukuritë që janë jashtë horizontit të domethënies së tij burimore në një mënyrë që respekton detyrën e ruajtjes së mendimit nga shtrembërimi? A është ky nocion, me prejardhje të pastër evropiane i përshtatshëm për tërësinë e botës? Cilat janë shkaqet fetare për rëndësinë dhe përshtatshmërinë e tij të përgjithshme për dukuritë në mësimin islam, budist, hinduist dhe mësimet e tjera, në mënyrat e mendimit dhe të jetesës? Cilat janë shkaqet psikologjike për përdorimin e tij, në mënyrën që përdoret për emërtimin e dukurive në botën e Islamit dhe të muslimanëve?

Nëse e kemi parasysh domethënien burimore të nocionit “fundamentalizëm” derisa ai ishte emër evropian për dukurinë evropiane, atëherë thjesht do të pohojmë se ai ka humbur domethënien fillestare, se është konsumuar. Ai, në të vërtetë, as që ka mundur të jetë i përshtatshëm për sistemet e tjera shpirtërore, kulturore dhe civilizuese. Prandaj, njohuria për “fundamentalizmin” si shfaqje karakteristike për Islamin nuk është e qëndrueshme dhe pas saj qëndron atmosfera e qëndrueshme psikologjike e cila shpeshherë shndërrohet në një pohim patologjik të pamundësisë që të ndahen me arsye dhe urtësi faktet e matshme dhe të vlerësueshme nga fanitjet dhe hijet që i krijon irracionalizmi i frymëzuar nga urrejtja, jotoletarnca, mendjemadhësia dhe agresiviteti.

Ta marrim faktin e thjeshtë: bota islame dhe muslimanët nuk kanë fare term në sistemin e vet konceptual që do t'i përgjigjej nocionit “fundamentalizëm” në domethënien e tij të sotme mjaft konfuze. Me fjalë të tjera, në burimet themelore islame nuk mund të gjejmë pikënisje të fundamentalizmit në cilindo aspekt në të cilin ai sot i vishet Islamit dhe muslimanëve. Shprehjet selefije, usulije islamije, usulijjun islamijjun, tesheddud, mutesheddidun islamijjun, tenettu’, mutenetti'un, guluvv, gulat, tetarruf, mutetarrifun, inbi'as e të tjera nuk e mbulojnë domethënien e nocionit “fundamentalizëm” që sot është në përdorim dhe i cili si i tillë është krejtësisht i huaj për pjesëtarin islam. Muslimani në këtë nocion nuk e sheh as veten as sistemin e vlerës që i përket. Vetëm në bazë të analogjisë mund ta analizojë dhe ta vërë në bashkëlidhje me sistemin e vet të vlerës.

Dhe derisa fundamentalizmi në Evropë, para së gjithash, është tentim që në themelet tashmë ekzistuese të gjenden “fundamentet” për ndërtesat e reja, që, kryesisht, varen për rolin mesatar të individit ose të grumbullit të njerëzve, në botën islamike çështja shtrohet krejt ndryshe. Me fjalë tjera, mësimi mbi “tërësinë dhe rrumbullakësinë e porosisë islame” është pjesë e fesë se çdo individi, ndaj askush nuk mund të jetë në pozitë që pjekurinë e vet t’ua bëjë të detyrueshme të tjerëve; çdo pjesëtar i Islamit qëndron drejtpëdrejt para Zotit, me obligimin e kërkimit të diturisë mbi Rrugën e Vërtetë, të përvetësimit të saj dhe rregullimit të jetesës së vet sipas saj; atij i është urdhëruar drejtpërsëdrejti të sodisë dhe përsiasë në botën rreth vetes, për veten dhe për çdo gjë jashtë vetes dhe në këtë mënyrë t'i zbulojë shenjat e të Skajshmit. Kjo e drejtë e tij dhe kjo detyrë e tij nuk mund t’i kalojnë asnjë institucioni, asnjë individi; ta forcosh vetëdijen tënde për Zotin dhe të bësh mirë duke pasur para vetes Udhëzimin e zbërthyer të Librit të Zotit dhe Botës së Zotit është çështje e çdo qenie njerëzore individuale ashtu sikundër edhe e njerëzisë në bashkësinë në tërësi.

Islami është e Vërteta përfundimtare dhe e plotë që Zoti ia ka dhuruar njeriut, e vërteta mbi Zotin, botën, njeriun, jetën dhe vdekjen. Subjekt i tij është Totaliteti i cili përfshin çështjen e totalitetit. Ai e pranon njeriun si personalitet integrues, tërësi që nuk mund të ndahet në shpirt dhe trup - nëse bëhet kjo njeriu do të shkatërrohet, ofron përkufizimin e tërësishëm edhe për të dhe për jetën, e ngre njerëzoren në shkallën më të lartë, i jep jetës domethënie më të lartë, shpirtërore, duke pranuar vetëm ndodhinë e saj natyrore dhe, natyrisht, duke i marrë në konsideratë të gjitha dallimet që ajo i bart me vete. Por, këtë të Vërtetë përfundimtare muslimani nuk e arrin deri në fundin e saj ndaj duhet të përpiqet me të gjitha fuqitë e veta materiale dhe shpirtërore që t'i afrohet asaj Përkryeshmërie: çdo gjë që i është dhënë, edhe në të edhe në botën e jashtme, duhet t'i shërbejë atij synimit të fundit ("Një nga argumentet e tij është ajo që ju krijon nga dheu, e kur bëheni njerëz shpërndaheni gjithkund.") (Lukman, 20).

Parimi i së drejtës dhe drejtësisë zënë vendin qendror në mësimin islam, kurse drejtësia, sipas tij arrihet vetëm kur çdo gjë vjen në vendin e vet të vërtetë, kur veprimi i secilit bëhet i drejtë dhe kur e drejta e secilit respektohet (“All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmëve ...”. (en-Nahl, 90). Kurse atje ku sundon drejtësia nuk ka vend asçfarë teprimi. Së këndejmi, Islami e gjykon njësoj edhe papërsosjen edhe ekzagjerimin: ai, natyrisht, e gjykon rreptë jo vetëm dhunën dhe terrorin, por edhe ashpërsinë dhe vrazhdësinë sikurse edhe çdo ekskluzivitet. Aq më tepër, ai nuk i krijon shkaqet për manifestimin e cilësdo nga këto dukuri dhe shmang çdo mundësi të nxitjes dhe përgjigjes (et-tehaddi ve-l-istixhabe). Po i kujtojmë vetëm disa ajete kur'anore që pa dyshim flasin për këtë:

"... Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (ummeten vesaten)… ". (El-Bekare, 143);

“Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” (El-Furkan, 67);

“Dhe mos e bën dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bë koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt)."(El-Isra, 29);

“Thuaj: “Thërrisni: All-llah ose thërrisni Er Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit. E ti mos e ngre zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare”. (El-Isra, 110);

"... Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë as e vjetër (e moshuar) as e re (mëshqerë), është e mesme, zbatoni pra atë që urdhëroheni”! (El-Bekare, 68);

" Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës...” (El-Maide, 77);

“O ithtarët e librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë....” (En-Nisa, 171);

“O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi All-llahu (i bëri hallall) dhe mos e teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).” (El-Maide, 87);

“ Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kiametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.” (El-A'raf, 32);

"... E nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e All-llahut, atëherë për atë, me çka ajo bën kompensim, për ata të dy nuk ka mëkate. Këto janë dispozita të All-llahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (El-Bekare, 229).

Janë të shumta, natyrisht, edhe shënimet e Pejgamberit të All-llahut me të cilat ua ka tërhequr vërejtjen ithtarëve të vet për rrezikshmërinë e ekzagjerimit në çkado qoftë, madje edhe në përkushtimin ndaj Zotit.

“Ruajuni nga teprimi në fe sepse janë shkatërruar para jush ata që e kanë tepruar në fe”. (Ahmedi, En-Nesai, Ibn Maxhe dhe Hakimi).

“Mos u bëni të rreptë ndaj vetes që All-llahu të bëhet i rreptë ndaj jush. Disa popuj kanë qenë të rreptë ndaj vetes e edhe All-llahu ka qenë i rreptë ndaj tyre.“

Janë të shkatërruar cikrrimtarët, ta dini. (Këtë e përsëriti tri herë). Ata kanë qenë të rreptë ndaj vetes e edhe All-llahu ka qenë i rreptë ndaj tyre. (Muslimi).

(Të gjithë ata që kanë qenë të rreptë ndaj vetes Pejgamberi i ka quajtur me emrin e përbashkët mutenetti'un).

Kur mori vesh se disa as'habë të tij kishin vendosur të agjëronin gjatë ditës, të faleshin gjatë natës, duke u privuar nga gjumi dhe pushimi dhe nga jeta bashkëshortore me gratë e veta, erdhi dhe tha:

“Ç'mendojnë ata që e flasin këtë e këtë? Sa më përket mua, për Zotin, unë në mesin tuaj më së shumti i frikësohem Zotit dhe kam vetëdijen më të lartë për Të, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle dhe bëj jetë bashkëshortore. Prandaj, kush devijon nga rruga ime - nuk është imi.”

Një herë tjetër, disa as'habë të tij vendosën ta kryenin agjërimin duke qëndruar vullnetarisht në vapë të madhe me shpresë se për këtë vështirësi shtesë në durimin e vapës dhe etjes do të meritonin shpërblim më të madh, përveç asaj që u takonte për agjërimin. Pejgamberi ua ndaloi këtë duke i urdhëruar të agjëronin duke iu shmangur vapës, sepse ekspozimi i panevojshëm në të nxehtit e diellit, gjatë agjërimit është, në realitet, një thyerje e urdhërave të All-llahut dhe obligimeve të tij.

Ai thoshte vazhdimisht:

"Lehtësoni e mos vështirësoni. Bëni aq sa mundeni sepse All-llahut nuk i mërzitet (që t'ju shpërblejë) deri sa juve nuk ju bezdiset (të punoni)".

Askush nuk do të mund ta mbizotërojë këtë nënshtrim (All-llahut) por ai do ta mposhtë atë. Prandaj, bëhuni të matur dhe përpiquni.

Na duket se një fjalim i tij i përmban të gjitha karakteristikat e përmendura. Ai thotë:

Vërtet ju keni obligime ndaj vetes. Agjëroni dhe hani. Faluni dhe flini. Unë falem dhe fle, agjëroj dhe ha, ha mish dhe ushqim të yndyrshëm. Kush nuk e ndjek drejtimin tim ai nuk është imi.

Ç'mendojnë ata që vetes ia kanë ndaluar bashkëshortet e tyre, ushqimet e lejuara, pushimin dhe të mirat e tjera të lejuara të kësaj bote? Unë nuk ju kam udhëruar të bëheni priftër dhe rregulltarë. Në fenë time nuk ka ngurrim nga ngrënia e mishit, nga jeta bashkëshortore as asketizëm. Forma e asketizmit dhe e vetëmohimit të ithtarëve të mi është agjërimi dhe xhihadi ... Ata para jush janë shkatërruar për shkak të rreptësisë; kanë qenë të rreptë ndaj vetes e edhe All-llahu ka qenë i rreptë ndaj tyre... (Marrë nga "Preporod", nr. 24/464, 15.12.1989, fq. 5, me disa ndryshime).

Këto porosi të Pejgamberit janë në pajtim të plotë me përmbajtjet kur'anore, siç janë:

“All-llahu dëshiron t’jua lehtësojë (dispozitat), ...”. (En-Nisa, 28);

"... All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju....” (El-Bekare, 185);

“All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij,…”. (El-Bekare, 286);

"... se Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar në rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi...”. (El-Haxhxh, 78), etj..

Por, gjatë shqiptimit të gjykimit për teprimin do të duhej të merren parasysh dy faktet vijuese: Shkalla e lojalitetit të njeriut ndaj Zotit sikurse edhe shkalla e lojalitetit ndaj Zotit të mjedisit në të cilin ai banon kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shqiptimin e gjykimit mbi të tjerët në aspektin se si ate e jetojnë fenë. Në bazë të forcës a të dobësisë të besimit tonë edhe të besimit të mjedisit tonë, themi se dikush e tepron, dikush është i matur e dikush është indiferent. Kështu, nëse jemi shumë religjiozë dhe jetojmë në mjedisin që po ashtu është mjaft religjioz, atëherë, natyrisht do të jemi mjaft të ndieshëm ndaj çdo mungese të konsekuencës dhe ndaj çdo gabimi që e vërejmë rreth vetes. Do të na habisë shumë fakti nëse ndonjë musliman nuk falet dhe nuk agjëron përtej kujfijve që i ka përcaktuar feja. Në anën tjetër, nëse shkalla e religjiozitetit tonë është e ulët dhe jetojmë në mjedisin që merr guximin t'i thyejë ndalesat dhe t'i mohojë kufijtë e All-llahut, atëherë edhe minimumin e devotshmërisë së dikujt do ta marrim si aspekt të ekzagjerimit ose, madje, ekstremizëm fetar. Dhe sa më larg fesë që jemi më e madhe është habia jonë kundruall atyre që janë dhënë pas fesë dhe akuza jonë se në këtë po e teprojnë.

Askush nuk ka të drejtë ta akuzojë askënd se po e tepron me fenë nëse ai përcaktohet me vullnet të lirë që jetën e vet fetare të rregullojë sipas qëndrimit të pranuar fetar - kur është fjala për Islamin atëherë sipas mendimit të pranuar fikhor (juridik) derisa ai vetë beson se kjo është më e mirë dhe më korrekte dhe derisa konsideron se sheri'ati e obligon në aplikimin e përpiktë për të cilin pason shpërblimi përkatës, madje edhe nëse është i vetëdijshëm se qëndrimin e tillë të tjerët e konsiderojnë jo të gabuar. Asgjë nuk ndryshon në esencë edhe kur personi përkatës është i rreptë ndaj vetes sa kohë është i drejtë ndaj të tjerëve. Sepse njerëzit, për nga natyra, janë mjaft të ndryshëm; disa gjithnjë do të zgjedhin atë që është më e lehtë dhe më e butë, derisa të tjerët do ta pranojnë atë që është më e rëndë dhe më rigozore. Kemi shembuj për këtë edhe në periudhën më të hershme të Bashkësisë Islame. Abdullah ibn Abbasi ka qenë ithtar i lehtësimeve në fe ndërsa Abdullah ibn Omeri ka ngulur këmbë për gjërat jashtëzakonisht të mundimshme. Shumë dukuri në jetën e muslimanëve që, në shikim të parë, do të mund të konsideroheshin tepër të rrepta, kanë mbështetje në shkollat juridike dhe për këtë dikush nuk do të duhet të akuzohej për teprim sepse është i rreptë ndaj vetes në kryerjen e nënshtrimit ndaj Zotit, kënaqësinë e të cilit përpiqet ta fitojë. Nuk është e ligjshme të detyrohet që të heqë dorë nga qëndrimi i vet dhe të kërkohet nga ai që të sillet në kundërshtim me bindjen e vet. Njeriu vetëm mund t’i ofrojë këshillë të mirë edhe dëshmi të arsyeshme për atë që e quan të drejtë, por, megjithatë, vendimin e merr secili për vete.

Duhet të themi ndonjë fjalë edhe për dhunën e cila, sipas disave, është "konstantë e historisë". Qëndrimi islam është krejtësisht i qartë: Të bësh dhunë qoftë ndaj Zotit ose ndaj cilësdo krijesë të Tij - pra, jo vetëm ndaj njerëzve – do të thotë të bësh një nga mëkatet më të mëdha. Besimtarët e vërtetë kujdesen sidomos të mos bëjnë padrejtësi ndaj të tjerëve, për më tepër ndaj atyre që nuk i përkasin bashkësisë së tyre. Muslimanët shpesh kanë qenë të rreptë, madje të padrejtë ndaj njëri-tjetrit, por gjithnjë janë orvatur të jenë të drejtë ndaj atyre që nuk ndajnë bindjen e tyre fetare. Dihet se harixhitët kanë qenë mjaft të rreptë në qëndrimet e tyre fetare dhe se pikërisht për këtë arsye shumë muslimanë që këto qëndrime nuk i kanë miratuar kanë paguar me jetën e tyre. Vasil ibn Ata'i i njohur, duke iu falënderuar mendjahollësisë së vet, i është shmangur ekzekutimit, por Abdullah ibn Hababi, të cilin e kanë ditur se është musliman sepse ia kanë gjetur Kur'anin, e ka humbur kokën vetëm pse nuk e ka pranuar bindjen e tyre se h. Aliu është idhujtar. Mirëpo, kur kjo turmë e harixhitëve, takoi një kristian dhe kërkoi nga ai që t'ju shiste pak hurma, ajo nuk deshi kurrsesi të pranonte të merrte hurma pa paguar ndonëse ky u ofroi me zemërgjerësi hurma si dhuratë. Në fund kristiani nuk mundi të mos vërente: Si është e mundur të mos pranoni të merrni hurma pa paguat, ndërsa pak më parë e vratë njeriun vetëm pse nuk dëshiroi ta pranonte bindjen tuaj?!

Natyrisht, edhe në mesin e muslimanëve anekënd botës, sikurse edhe në mesin e atyre që nuk janë muslimanë, kanë ndodhur dhe po ndodhin gjëra që feja e tyre nuk i mirton dhe nuk është indifirente kundruall tyre. Kjo ndodh edhe me të gjitha aspektet e dhunës dhe të detyrimit, sepse qëndrimi kur'anor është shprehimisht i qartë:

"Në fe nuk ka detyrim!” (El-Bekare, 256).

Së këndejmi, dhuna politike që shfaqet kohë pas kohe në botën islame me asgjë nuk mund të lidhet kurrsesi me Islamin dhe ithtarët e tij, dhe kaq më pak mund të pohohet se kjo dukuri është karakteristikë e tyre. Për fat të keq, dhuna politike është shfaqur mjaft herët edhe në mesin e muslimanëve dhe halifët e parë si hazreti Omeri, Osmani dhe Aliu, kanë qenë viktima të dhunës. Të njëjtin fat e pësuan edhe nipat e Pejgamberit, Hasani dhe Husejni dhe dhjetëra pasardhës së tyre të ndershëm. Edhe shumë dijetarë islamë, mendimtarë dhe shtetarë kanë rënë si viktima të pafajshme të këtij akti të marrë. Por, motivi ka qenë gjithnjë i natyrës politike dhe asnjë historian objektiv ose mësues i mendimit nuk ka pohuar kurrë se motivet e këtyre vrasjeve kanë qenë fetare por kanë vënë në dukje se qysh në realitetin e atëhershëm të muslimanëve disa motive të tjera kanë qenë më të shumta dhe më të fuqishme. Edhe sot në këtë botë ndodhin një mori gjërash që kanë shumë pak lidhje me Islamin, por që kanë të bëjnë me recidivët që ua ka lënë kolonializmi evropian. Edhe diçka: është mjaft e vështirë që dhunës të mos ia kthesh në masën e njëjtë, natyrisht nëse ekziston mundësia që kjo të bëhet. Prandaj njeriu është, megjithatë, njeri.

Dhe pas gjithë sa thamë për çështjen e cekur mbetet për t’u thksuar se qortimi i Islamit bashkëkohor për fundamentalizmin shpreh në masë të madhe disponimin aktual politik, ideologjik, psikologjik, ekonomik e tjera të Perëndimit ndaj botës së Islamit. Duke përfituar nga përkeqësimi ekzistues i nocionit “fundamentalizëm” në mjedisin evropian, publicistika perëndimore dhe pseudshkenca perëndimore në të i depoziton të gjitha projeksionet negative vetjake. Ai përmban, përveç tjerash, qëndrimin negativ të politikës evropiane ndaj orvatjes së botës muslimane që të lirohet nga tutoria politike, kulturore, ekonomike dhe ushtarake. Në këtë tablo janë montuar edhe ide të shumta të reja, “plagë” të vjetra dhe synime të vjetra nga kohët e kalura të konflikteve të përgjakshme.

Nocioni "fundamentalizëm” shpeshherë është përdorur qëllimisht për të gjitha sa ndodhin në botën islame, natyrisht shikuar dhe gjykuar vetëm nën prizmin e një ane. Tërë ç’ndodh në atë botë shpesh katandiset vetëm si ekstremizëm, regjime totalitare, puçe ushtarake, prapambeturi arsimore e diturore, papjekuri teknologjike dhe për të gjitha këto akuzohet Islami.

Dhe derisa në Perëndim me mjaft kujdes është ndarë varieteti ndërmjet praktikës dhe ideve, në rastin e vëzhgimit të realitetit të botës muslimane praktika negative përpiqet me çdo kusht të identifikohet me Islamin. Në këtë mënyrë, në të vërtetë, karakteri përkeqësues i nocionit “fundamentalizmi islam” ka fituar legalitetin e vet në praktikën e botës muslimane, e cila pa të drejtë është identifikuar me Islamin, përkundër faktit se pikërisht ata që janë quajtur "fundamentalistë islamë” kanë qenë në opozitë direkte ndaj gjendjes që e ka përfaqësuar kjo praktikë. Pikërisht ata janë në krye të përpjekjes për vendosjen e drejtësisë më të madhe shoqërore, të arsimimit më produktiv, zhvillimit të dijes dhe të teknologjisë dhe ruajtjes dhe e zhvillimit të vlerave autentike islame, demokracisë më të gjerë që është e pandashme nga Islami burimor, çlirimit të njeriut nga shërbimi zotave të rremë, ngritja e jetës së njeriut në rrafshin që i përket sipas dhuntisë së Krijuesit, etj.

Kjo është vetëm një nga kundërthëniet dhe qëndrimet e padenja të shfrytëzimit të nocionit "fundamendalizëm” për t’i shënuar ndodhitë bashkëkohore në suaza të Islamit.

Kemi thënë se edhe emri edhe përmbajtja e fundamentalizmit janë të huaja për muslimanin; ata s’janë veçse një vëzhgim nga jashtë, i cili rëndom nuk dëshiron ta shohë as esencën as hollësitë. Soditësi i tillë nga jashtë mendon në mënyrë arrogante se i ka të qarta edhe tërësinë edhe hollësitë; prandaj ai nuk e sheh të nevojshme ta dëgjojë palën tjetër por në çdo gjë ajo bën, thotë ose, madje, mendon, ai gjen vetëm konfirmimin për përfytyrimin e vet të thjeshtëzuar. Por, ta përsërisim, dija e tillë zë fill në “fundamente” të një dije që, kryesisht, nuk i pranon “fundamentet” e tjetrit. Mendimi i tillë paraqet shkarje edhe atëherë kur ekzaminimi bëhet nga pikëpamja e fundamenteve të Kristianizmit edhe atëherë kur bëhet nga pikëpamja e fundamenteve të Islamit. Ai është shkarje sepse është një nocion mjaft konfuz, që nuk është verifikuar në vetë pikënisjen e vet, në intuitat dhe përfytyrimet nga të cilat nxirret, ndaj duke mbetur i parrahur është bërë një nocion bosh në të cilin besohet. Feja e tillë shpie pashmangshmërisht në lajthitje, lajthitja në dhunë, dhuna në kundërvënie, kundërvënia në konflikte, konflikti, ndërkaq, i nxjerr njerëzit nga baraspesha e tyre që është e domosdoshme për shfrytëzimin e dhuntisë më të madhe që e disponojmë – dhuntisë së arsyes.

E pra, nëse duam të sigurojmë një të ardhme më të mirë për vete dhe për të tjerët, atëherë duhet të çlirohemi nga lajthitjet tona. Që të çlirohemi nga lajthitjet për të ashtuquajturin "fundamentalizëm islam” do të duhet, para së gjithash, t’u lejojmë vetë muslimanëve të thonë çka mendojnë ata për të gjitha këto, që ata, në të vërtetë, ta tregojnë në çka besojnë e në çka nuk besojnë. Në shqyrtimin e deritashëm të kësaj çështjeje kryesisht është dëgjuar vetëm një anë dhe kriteret dhe masat e saj janë proklamuar absolute. Duket sikur muslimanët edhe nuk kanë fare mendim për veten. Mjafton që mendimin për ta t’ua japin të tjerët, politikanët dhe orientalistët, teologët kristianë dhe sociologët marksistë, filozofët ekzistencialistë dhe ekonomistët amerikanë, etj..

Ndërkaq, pa mendimin që kanë muslimanët për veten, të shtruar në mënyrë të arsyeshme, sistematikisht të zhvilluar, ky shqyrtim, sikurse edhe shumë të tjera që janë me rëndësi të madhe për të gjithë ne, për këto hapësirat tona, madje edhe për tërë botën, nuk është e mundur të zgjidhet.

Sepse, kur çdo aksion i muslimanëve që zë fill në kulturën e tyre të vjetër katërmbëdhjetë shekuj, në fenë e tyre, në ndjenjën e tyre, proklamohet me ngulm si "diçka” vleshmëria e së cilës është në pikëpyetje, atëherë është e qartë se muslimanët nuk kanë thënë qartë dhe energjikisht ç'është ajo që ata dëshirojnë dhe pa të cilën ata nuk munden dhe ç'është ajo e shtrembëruara që të tjerët e thonë për ta.

Nocioni për të cilin bëmë fjalë është një bimë e importuar para do kohe nga viset pak më të ftohta. Kemi bindjen se ajo nuk do të zërë, gjë që është në të mirën e të gjithëve që kanë arsye.


Mehmedalija Haxhiq

http://nektariivulosur.tk

View previous topic View next topic Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Free forum | © PunBB | Free forum support | Contact | Report an abuse | Free forum