Nektari Islam
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Kultura e sjelljes me rastin e vdekjes dhe xhenazës

Go down  Message [Page 1 of 1]

QeNdRiM

QeNdRiM
.
.

Vdekja është një gotë të cilën secili individ patjetër duhet ta pijë. Përkujtimi i vdekjes është mënyra më efikase që të frenohet lakmia për këtë botë, që të fiket flaka e pasioneve dhe lakmive kurse dëshirat dhe synimet të vendosen në masë të logjikshme. Me këtë tekst e kemi për qëllim t’i përkujtojmë detyrat dhe obligimet tona ndaj të vdekurve dhe të tregojmë mënyrën se si ta tejkalojmë, konform Islamit, humbjen e ndonjë anëtari të familjes, ndonjë të afërmi apo të ndonjë miku a shoku.


Larja e të vdekurit (xhenazës)

Sa i jep rëndësi Islami pastërtisë dhe higjienës së secilit person, më së miri e ilustron fakti se edhe i vdekuri pastrohet dhe i pastruar lëshohet në varr. Kjo, mes tjerash, themelohet në hadithin autentik të cilin e transmeton Ummu Atijje r.a., në të cilin theksohet se pas vdekjes së vajzës tij, Pejgamberi a.s. kishte urdhëruar: “[/b]Lajeni me ujë me shtuf tri ose pesë herë, apo edhe më tepër, kurse herën e fundit qitni kamfur … filloni nga ana e djathtë e trupit të saj dhe së pari lani ato pjesë të cilat lahen gjatë abdestit![/b]”

Përjashtim bën shehidi. Ai varroset me gjakun e tij, i cili nuk lahet, në mënyrë që ai për të në Ditën e gjykimit të jetë dëshmitari më i mirë për flijimin dhe angazhimin e tij në rrugë të Allahut. Dihet se Pejgamberi a.s. pas betejës në Uhud, kur i kanë varrosur shehidët, pat urdhëruar: “Varrosni ata me gjakun e tyre!” Buhariu, ndërkaq, thekson transmetimin në të cilin thuhet se Pejgamberi a.s. atëherë shehidëve nuk ua kishte falur edhe xhenazen. Mirëpo, hanefijtë këtë theksim të imam Buhariut e konsiderojnë të vetmuar, andaj në bazë të hadithit që është i shënuar në El-Mustedrekun e Hakimit, në El-Mu’xhemin e Taberanijut, në Es-Sunenin e Bejhekijut dhe në Musnedin e Bezzarit, konsiderojnë se shehidit i falet xhenazja.

Mbështjellja e të vdekurit – qefini

Islami urdhëron mbulimin jo vetëm të personit të gjallë, por edhe të personit të vdekur. Trupi i tij, gjithashtu, duhet të jetë i mbuluar dhe për atë rast rekomandohen qefinë të bardhë, që në njëfarë mënyre simbolizon pastërtinë, dëlirësinë dhe shpresën tonë se prej kësaj bote po kalojmë në botën tjetër të papërlyer, të pastër nga mëkatet dhe përzierjet e kësaj bote. Pejgamberi i Islamit a.s., ka rekomanduar të veshim rroba të bardha, sepse në to, është e qartë, menjëherë vërehet ndonjë njollë apo ndyrësi. Rrobat e bardha i ka rekomanduar edhe si qefinë për personat e vdekur, që në mënyrë eksplicite flet për kujdesin e Islamit për njeriun në secilën situatë. Në hadithin të cilin e transmeton Semure bin Xhundub r.a. i Dërguari a.s. rekomandon: “Vishni rrobat e bardha, sepse ato janë më të pastra dhe më të mira, por edhe të vdekurit tuaj mbështillni me qefinë të bardhë”!

Falja, përcjellja dhe bartja e xhenazes

Vlera e faljes, përcjelljes dhe bartjes së xhenazes së personit të vdekur në mësimin Islam është e pozicionuar lartë. Në hadithin e Ebu Hurejres r.a. shihet qartë shpërblimi jashtëzakonisht i madh për ata që ia falin xhenazen personit të vdekur dhe të cilët e përcjellin deri te varri i tij. I Dërguari i Allahut a.s. premton: “Kush e falë xhenazen, për të do të ketë shpërblimin e një “kirati”, ndërsa kush e përcjell personin e vdekur deri te varri dhe aty qëndron derisa të varroset, do të ketë shpërblim në lartësi të dy “kiratëve”. Njëri prej tyre, ose më i vogli i tyre është sa bjeshka e Uhudit!” Në transmetimin e Buhariut, në pyetjen: “Sa janë ata dy kiratë?”, Pejgamberi a.s. është përgjigjur: “Sa dy bjeshkë të mëdha”!

Lejohet, kur e përcjellim xhenazen, të shkohet para ose pas saj, nga ana e saj e djathtë ose e majtë, përveç atij i cili është hipur, apo me ndonjë mjet transporti, ai, atëherë, ekskluzivisht shkon pas xhenazes. Kjo bazohet në hadithin, transmetimin e të cilit e shënojnë muhadithët e njohur Ebu Davudi, Tirmidhiju, Nesaiju, Ibni Maxhe, Ahmedi, Ibni Hibbani, Bejhekiju, Tahaviju dhe Tajalisi. Duhet të theksohet se, edhe pse lejohet të ecet para apo pas xhenazes, dhe për këtë ekzistojnë hadithe autentike të Pejgamberit a.s., megjithatë preferohet të përcjellja e xhenazes me ecje pas saj. Aliu r.a. ka thënë: “Ecja pas xhenazes është më e vlefshme se ecja para saj, siç është namazi në xhemat më i vlefshëm nga namazi që falet vetmas!”

Namazi i xhenazes

Edhe pse xhenazja nuk ka as ruku e as sexhde, prapë se prapë quhet namaz. Ai është, para së gjithash, lutje për personin e vdekur, në të cilën e lusim Allahun e madhërishëm që ta mëshirojë dhe të ia lehtësojë llogarinë në varr dhe në Ditën e gjykimit. Së këndejmi, është jashtëzakonisht me rëndësi që në xhenaze të prezantojë numër i caktuar i njerëzve, por është e domosdoshme që ata të jenë besimtarë, që i besojnë Allahut dhe nuk i përshkruajnë kurrfarë shoqërimi.

Në transmetimin e Ebu Hurejres r.a. i Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Kur vdes ndonjë mysliman, dhe xhenazen ia falin njëqind myslimanë dhe luten për të, lutja e tyre do të jetë e pranuar”. Në transmetimin e Ibni Abbasit r.a. numri i falësve prezentë është dukshëm më i vogël. Në atë transmetim Pejgamberi a.s. porosit: “Nuk do të vdes asnjë mysliman, e xhenazen ia falin dyzetë njerëz, të cilët në asgjë Allahut nuk i përshkruajnë shoqërim, e që lutja e tyre për të mos pranohet!”

Me rastin e faljes së namazit të xhenazes është me rëndësi të shqiptohen katër tekbire. Me rastin e shqiptimit të tekbirit të parë ngritën duart, kurse gjatë tri tekbireve tjera kjo nuk bëhet. Duart lidhen sikur edhe gjatë faljes së namazeve tjera. Ka disa ndryshime të caktuara në lidhje me leximin në namaz, varësisht nga medh’hebi të cilit i takojnë ata që falen. Sipas medh’hebit hanefij, pas tekbirit të parë lexohet Subhaneke, me shtesën “xhel-le thenauke” ; pas tekbirit të dytë – salavatet, kurse pas të tretit – lutja, ndërsa pas tekbirit të katërt jepet selam dhe përfundon falja e namazit të xhenazes.

Varrimi

Varri duhet të hapet në thellësi sa gjysma e gjatësisë së trupit të njeriut apo sa deri te gjoksi, ndërsa rekomandohet sa më i thellë. Pranë fundit të varrit nga ana e Kibles, do të hapet një thellësi, aq e thellë dhe e gjerë sa mund të vendoset personi i vdekur, ashtu që ai lëshohet aty, kurse varri praktikisht mbetet i zbrazur dhe i paraparë vetëm për dërrasa të cilat renditen dhe për dheun i cili kthehet në të. Ky thellim quhet lahd. Praktika e tillë ka mbështetje në transmetimin e Ibni Abbasit r.a., i cili transmeton se i Dërguari a.s. ka theksuar: “Për ne është lahdi, kurse për të tjerët shekki!” Shekk, në realitet do të thotë varrosje e personit të vdekur në mes të varrit, kështu që Pejgamberi a.s. me të ka dashur të dallohemi nga të tjerët.

Secili person varroset ndaras në varr të veçantë, mirëpo, nëse është e nevojshme, lejohet varrosja e më shumë personave të vdekur në një varr, por me atë rast secili person ndahet nga tjetri me dhe i cili hedhet ndërmjet tyre.

Në rast se personi vdes në det të hapur, larg bregdetit, do të lahet, mbështillet me qefin, i falet xhenazja dhe lëshohet në thellësi të detit.

Çka lexohet kur të vdekurin e lëshojmë në varr?

Me rastin e lëshimit të personit të vdekur në varr, do të lexojmë: Bismil-lahi ve ala mil-leti Resulil-lahi . Kjo bazohet në transmetimin e Abdullah ibni Omerit r.a. në të cilin thuhet se Pejgamberi a.s. nganjëherë ka lexuar: Bismil-lahi ve ala mil-leti Resulil-lahi- Me emrin e Allahut dhe në fenë e të Dërguarit të Allahut), kurse nganjëherë ka lexuar: (Bismil-lahi ve ala sunneti Resulil-lahi – Me emrin e Allahut dhe sipas sunnetit të Dërguarit të Allahut ), kurse nganjëherë tjetër: Bismil-lahi ve fi sebilil-lahi ve ala mil-leti Resulil-lahi- Me emrin e Allahut në rrugën e Allahut dhe në fenë e të Dërguarit të Allahut),

Shprehja e ngushëllimit

Vdekja e personit të dashur është një humbje e pa kompenzueshme në këtë botë. Mënyra e vetme që, deri diku, mund t’ia zvogëlojmë dhembjen dhe vuajtjen personit të tillë është fjala e bukur dhe ngushëlluese, e cila mund të jetë melhem i jashtëzakonshëm në plagën e shkaktuar në zemrën e atij personi.
Në praktikën e të Dërguarit a.s. ajo mënyrë e shprehjes së ngushëllimit ka qenë e njohur. Ai, siç vërehet nga një numër i transmetimeve, ka gjetur mënyra për t’iu afruar anëtarëve të pikëlluar të familjes, duke i ngushëlluar dhe duke ua përkujtuar shpërblimin e Krijuesit të botëve në qoftë se përmbahen me durim dhe dinjitet në ato momente të vështira, me çka edhe psiqikisht i ka lehtësuar.

Të shikojmë se si Pejgamberi a.s. na inkurajon që me shprehje të fjalëve të bukura dhe ngushëllimeve islame t’i afrohemi familjes së personit të vdekur. Muhammed bin ‘Amr bin Hazm r.a. transmeton se i Dërguari a.s. ka theksuar: “Allahu i Lartë madhërishëm, secilin besimtar i cili në çastin e vdekjes shpreh ngushëllim dhe dhembshuri ndaj vëllait të tij, do ta veshë me rroba të nderit dhe dinjitetit në Ditën e gjykimit”.

Në një transmetim tjetër, të cilin nga i Dërguari a.s. e transmeton Abdullah bin Mes’udi r.a. thuhet: “Kush i shpreh ngushëllime dhe e inkurajon për durim atë të cilit i ka vdekur dikush, do të ketë shpërblim sikurse ai që i vdes dikush dhe bën durim!”

Shprehja e ngushëllimit mund të bëhet në disa mënyra. Parimisht, me ato fjalë ngushëlluese duhet lutur Allahun që ta shpërblejë atë dhe ta forcojë atë i cili gjendet në pikëllim dhe atë sprovë ta tejkalojë bukur, ndërkaq, personin e vdekur ta falë dhe mëshirojë.

Kështu Usame bin Zejd r.a. transmeton se njëra nga vajzat e të Dërguarit a.s. ia kishte dërguar një person për ta ftuar dhe njoftuar mbi vdekjen e djalit të saj. Me atë rast Pejgamberi a.s. i thotë atij personi: “Shko dhe njofto, se vërtet, Allahut i takon ajo që e ka marrë dhe ajo që e ka dhënë dhe çdo gjë tek Ai e ka afatin e caktuar, andaj urdhëroje që të durojë dhe ta presë shpërblimin e Allahut!”

Përgatitja e ushqimit për familjen e të vdekurit

Kur të ndodhë rasti i vdekjes, sidomos kur është ky dikush që ka qenë posaçërisht i dashur: si prindër, fëmijë, bashkëshort etj., atëherë anëtarët e familjes janë në një gjendje të pikëllimit dhe hidhërimit të veçantë, atyre as që u bie ndër mend të përgatisin ushqim për ngrënie. Atëherë, sipas kodit të mirësjelljes islame, farefisi tjetër, fqinjët dhe miqtë duhet të kujdesen për këtë gjë dhe tu përgatisin e tu sjellin ushqim në shtëpinë e tyre. Kjo mbështetet në transmetimin e Abdullah bin Xhaferit r.a. në të cilin thuhet: “Kur erdhi lajmi për vdekjen e Xhaferit, Pejgamberi a.s. tha: “Përgatitni ushqim për familjen e Xhaferit, sepse ata momentalisht janë të preokupuar me diç tjetër!”

Të shohim se si kodit të mirësjelljes islame nuk i shmanget asnjë detaj në jetën e njeriut dhe me çfarë ndjenje të kujdesit dhe brengës e përcjell çdo situatë në të cilën gjendet njeriu dhe e zgjidh në mënyrën më të mirë. Mirëpo, në vend që ta ndjejmë bukurinë e kodit të mirësjelljes islame, dhe ashtu t’ia lehtësojmë vetes gjendjen kur na ndodh rast vdekjeje, shumë nga ne, për fat të keq, kanë pranuar adete jo islame dhe kanë filluar të përgatisin ushqime të begatshme për të pranishmit në xhenaze, përkatësisht, kur të kthehen nga xhenazja në shtëpinë e të vdekurit!!!

Çfarë dobie ka i vdekuri nga i gjalli?

a) Duaja – lutja për të vdekurin

Personi i vdekur do të ketë dobi nga lutja e të gjallit. Së këndejmi është shumë me rëndësi që, me rastin e faljes ës (namazit të) xhenazes, apo pas tij të lexojmë ndonjë lutje për të vdekurin. Pejgamberi a.s. me një rast i lexon lutje një as’habi. Thuhet se transmetuesi i kësaj lutjeje Avf bin Malik r.a. ka thënë: “Aq shumë më la mbresa ajo lutje sa që dëshirova që ai i vdekuri të jam unë!” Çka ka lexuar Pejgamberi a.s. për të vdekurin? Të shohim: «Allahummegfir lehu verhamhu, ve 'afihi va'fu 'anhu, ve ekrim nuzulehu, ve vessi' mud’halehu, vagsilhu bil-mai veth -thelxhi vel-beredi, ve nekkihi minel-hataja kema nekkajteth-thevbel-ebjeda mined-denesi, ve ebdilhu hajren min darihi, ve ehlen hajren min ehlihi, ve zevxhen hajren min zevxhihi, ve ed’hilhul-xhennete ve e'iz’hu min 'adhabil-kabri ve min 'adhabin-nari».

/”O Allah, fale dhe mëshiroje. Ruaje dhe falja mëkatet. Bëre të përshtatshëm vendqëndrimin e tij dhe bëre të gjere. Laje me ujë, borë dhe akull dhe pastroje nga mëkatet siç i pastrosh rrobat e bardha nga ndyrësia. Zëvendësoja shtëpinë me më të mirë, familjen me më të mirë dhe bashkëshorten me më të mirë. Vendose në xhennet dhe shpëtoje nga dënimi i varrit dhe dënimi në zjarr”/.

b) Plotësimi i ibadeteve të pakryera (agjërimi, zotimi etj.)

Në qoftë se personi i vdekur ka qenë i obliguar të kryej ndonjë ibadet, e nuk e ka kryer, këtë duhet ta kompensojë dikush nga familja e tij apo nga trashëgimtarët. Kështu Aisheja r.a. transmeton hadithin në të cilin Pejgamberi a.s. thotë: “Kush vdes dhe i mbetet borxh agjërimi, le ta agjëroj për të i afërmi i tij!”

Në përmbledhjen e Muslimit, Burejde r.a. transmeton se një grua e pyet Pejgamberin a.s.: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka qenë e obliguar të agjërojë një muaj ditë, a duhet unë ta kompensoj këtë”? Pejgamberi a.s. i përgjigjet: “Agjëro për të!” Gruaja shton: “Ajo asnjëherë nuk e ka kryer haxhin, a mund ta kryej edhe haxhin për të?” Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Kryeje haxhin për të!”

c) Kthimi i borxhit

Në qoftë se personi i vdekur ka pasur ndonjë borxh, më të afërmit e tij janë të obliguar ta kthejnë atë borxh. Kjo më së miri është të bëhet para faljes së xhenazes. Të shumtë janë shembujt nga praktika e Pejgamberit a.s. të cilët flasin në favor të kësaj. Kështu p.sh. në transmetimin e Xhabir bin Abdullahut r.a. theksohet se Pejgamberi a.s. nuk kishte dashur t’ia falë xhenazen një njeriu që kishte vdekur me borxh, derisa Ebu Katade r.a. nuk e kishte marrë përsipër obligimin që t’ia paguajë borxhin e tij. Vetëm atëherë Pejgamberi a.s. kalon para xhematit dhe ia fal xhenazen!

ç) Vepra e mirë të cilën e bën fëmija i të vdekurit

Gjithçka që bën fëmija i të vdekurit, shkon në favor të prindërve të vdekur dhe ata për të kanë shpërblim, kurse fëmijës asgjë nga sevapet nuk i pakësohet. Të shumta janë transmetimet që i thekson Buhariu, Muslimi, Nesaiju, Tirmidhiju, Ebu Davudi, Ibni Maxhe, Maliku, Ahmedi, Bejhekiju etj. Në të cilat as’habët pyesin se a do të kenë shpërblim edhe ata edhe prindërit e tyre, nëse ata për prindër ndajnë lëmoshë (sadakë) apo e kryejnë ndonjë vepër të mirë. Pejgamberi a.s. është përgjigjur pozitivisht.

Gjithashtu, lutja e fëmijës për prindin e tij gjithsesi pranohet dhe me të madhe i kontribuon prindit të vdekur. Ebu Hurejre r.a. i transmeton fjalët e Pejgamberit a.s. të cilat këtë e vërtetojnë: “Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç në tri raste: lëmosha (sadaka) e vazhdueshme, dituria me të cilën shërbehen të tjerët pas vdekjes së tij dhe fëmija i edukuar mirë i cili i bën lutje!”

d) Lëmosha (sadaka) e vazhdueshme – vakëfi

Personi i vdekur do të ketë dobi të jashtëzakonshme nga lëmosha e vazhdueshme, përkatësisht nga vakëfi, qoftë nëse ai e ka lënë atë, apo qoftë edhe nëse dikush këtë e bën nga pasuria e tij pas vdekjes. Kjo mund të jetë ndërtimi i xhamive, rrugëve, spitaleve, krojeve apo çka do qoftë që u shërben njerëzve dhe përderisa të zgjat ai hajrat, atij do t’i rrjedh shpërblimi dhe ai prej saj do të ketë dobi, siç shihet, në mënyrë eksplicite, nga hadithi i cituar.

dh) Mësimi të cilin e ka lënë

Çdo mësim, libër, këshillë etj., të cilën njeriu e lë pas vete, e që u shërben njerëzve, do të vlerësohet në Ditën e gjykimit, kurse personi i vdekur, nga ajo do të ketë dobi edhe pas vdekjes. Nëse këtë e bën dikush nga familja e tij, i nxitur nga mësimi i tij, gjithashtu do t’i kontribuoj edhe pas largimit të tij nga skena e jetës, siç është theksuar në transmetimin e cituar të Muslimit.

Vizita e varrezave

Vizita e varrezave është e dobishme edhe për të vdekurin edhe për të gjallin. Së këndejmi, ndalimi i vizitës së varrezave, e cila në fillim ka qenë aktuale, është abroguar me hadithin i cili këtë e lejon. Burejde r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “U pata ndaluar vizitën e varrezave, por prej tash vizitoni ata!”

a) Dobitë për vizituesin e varrezave

Shumë të mëdha janë dobitë për atë i cili i viziton varrezat, për arsye se përkujton se edhe ai duhet të shtrihet në atë tokë të ftohtë e të lagët dhe do të jetë vetëm ushqim për krimba. Në një numër transmetimesh të cilat i shënojnë Ebu Davudi, Nesaiju, Ahmedi, Bejhekiju, Hakimi e tjerë, nënvizohet se me vizitën e varrezave fitohen mësime të mëdha, shtohet e mira, përkujtohet ahireti, pastaj shkaktohet lot në sy, kurse zemrat bëhen më të ndjeshme dhe më suptile.

b) Dobitë për të vdekurin

Nga vizita e varrit i vdekuri do të ketë dobi të jashtëzakonshme. Kjo shihet edhe me selamin i cili i drejtohet personit të vdekur dhe me lutjen Allahut xh.sh. që t’ia falë mëkatet dhe ta mbroj nga dënimi në varr. Së këndejmi, kur i vizitojmë varrezat, duhet tu drejtohemi banorëve të tyre, sepse ata na dëgjojnë, edhe pse ne këtë nuk e hetojmë. Në pyetjen e Aishes r.a. si tu drejtohemi të vdekurve, Pejgamberi a.s. e ka këshilluar të thotë: «Es-Selamu 'ala ehlid-dijari minel-mu'minine vel-muslimine. Ve jerhamullahul-mustakdimine minna vel-muste'hirine. Ve inna insha Allahu bikum lelahikun!» /Paqja qoftë mbi besimtarët dhe myslimanët, banorë të këtyre shtëpive. Le t’i mëshirojë Allahu të cilët kanë vdekur më herët dhe ata më vonë. Ne, me dëshirën e Allahut, sigurisht juve do t’u bashkohemi !”.

Është e rekomandueshme, kur t’i japim selam personit të vdekur, të qëndrojmë në drejtim të fytyrës së tij, ndërsa kur bëjmë lutje për të, atëherë duhet të kthehemi kah Kibla.

c) Leximi i Kur’anit te varri

Dijetarët kanë qëndrime të ndryshme kur është në pyetje leximi i Kur’anit te varri. Disa këtë rreptësishtë e ndalojnë, duke konsideruar këtë si novatori (bidat) të ndaluar, ndërsa të tjerët e lejojnë këtë dhe e konsiderojnë të lëvdueshme. Ata të cilët konsiderojnë se leximi i Kur’anit te varrezat është novatori dhe është e qortuar të lexohet, qëndrimin e vet e bazojnë në faktin se nuk ekziston asnjë hadith autentik i cili, në mënyrë eksplicite, flet mbi leximin e Kur’anit te varri. E vetmja gjë që lejojnë këta, është dhënia selam personit të vdekur dhe leximi i lutjes për të. Kërkimin e faljes për personin e vdekur, ata e bazojnë në hadithin e Osman bin Affanit r.a. i cili thotë se Pejgamberi a.s. kur përfundohej me varrimin e personit të vdekur, qëndronte mbi të dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllain tuaj dhe bëni lutje Allahut që ta forcojë, sepse ai tash është duke u pyetur!”
Ata të cilët lejojnë dhe praktikojnë leximin e Kur’anit te varri, qëndrimet e tyre i bazojnë në transmetimin hasen të imam Bejhekijut i cili në Sunen thekson se Abdullah bin Omeri r.a. e ka konsideruar mustehab ( të pëlqyer) leximin e fillimit dhe të përfundimit të sures el-Bekare te varri pas varrimit.

Imam Neveviju, gjithashtu, thekson mendimin e imam Shafiut dhe dijetarëve të shkollës së tij juridike, të cilët kanë konsideruar mustehab që diçka të lexohet nga Kur’ani te varri, e sikur të lexohej i tërë Kur’ani – këtë e kanë konsideruar edhe më mirë.

Duhet të theksohet se nuk ka kurrfarë pengese nëse dikush për të vdekurin lexon në xhami apo në shtëpinë e tij diç nga Kur’ani, duke e lutur Allahun e mëshirshëm që t’i dhurojë atij mëshirë dhe falje. Mirëpo, tubimi në shtëpinë e të vdekurit me qëllim të leximit të Kur’anit apo të ndonjë lloji tjetër të ibadetit nuk ka kurrfarë baze në praktikën e Pejgamberit a.s., as në praktikën e shokëve të tij të ndershëm, e as në praktikën e gjeneratave të para të myslimanëve.

__________________

http://nektariivulosur.tk

Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Make a forum | ©phpBB | Free forum support | Report an abuse | Forumotion.com