Në namazin e përbashkët muslimanët tonë janë mësuar që fjalën amin duhet shqiptuar pa zë, në vetvete, pasi që imami të këndojë: gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin. Dhe kryesisht kjo edhe praktikohet nëpër xhami.
Mirëpo, është bërë dukuri e shpeshtë në kohët e fundit që njerëzit duke lexuar përkthime të ndryshme të literaturës islame, sidomos të përmbledhjeve të haditheve, të hasin në ato përmbledhje hadithe, në të cilat rekomandohet apo konstatohet se leximi i amin-it duhet të jetë me zë, dhe se, që është më me rëndësi, Pejgamberi a.s. ashtu ka vepruar dhe ka urdhëruar të veprohet. Pastaj konform asaj që kanë gjetur dhe lexuar vetvetes i japin fetva se ashtu edhe duhet të veprohet.
Pranë kësaj pashmangshëm janë komentet ndaj dijetarëve tonë si p.sh. “.. ja a po shihni që dijetarët tonë nuk kanë ditur asgjë, ja bukur po shkruan në Buhari apo Rijadu-s-salihin se amin duhet të thuhet me zë dhe atë që të ushtojë xhamia, e jo siç na kanë mësuar imamët”.
Kur kësaj i shtohet edhe rrethana se dikush ka shkuar në haxh dhe atje ka parë dhe dëgjuar se si në ato burime të Islamit lexohet amin me zë sa që ushton xhamia. Kurse ja në Bosnje kjo nuk bëhet. Pastaj vjen deri te vendosja e kësaj në disa xhami të thuhet amin me zë dhe kjo është konsideruar më e drejtë se sa mosshqiptimi me zë. Pastaj kur për shkak të luftës në Bosnje e Hercegovinë fillojnë të vijnë edhe arabë, dhe ata me namazet e tyre boshnjakëve u tregojnë se amin duhet të thuhet me zë, kjo u vjen si mehlemi në plagë. Boshnjaku më nuk ka dilemë: “ Vërtetë kur të gjithë veprojnë ashtu, pse edhe ne të mos veprojmë si ata. Pse të bëhemi më të mirë se arabët. Islami prej tyre ka filluar. Dijetarët tonë nuk dijnë, e të ngjashme”.
Njerëzit që nuk kanë kurrfarë baze për ta mësuar fikhun sidomos për të dhënë fetva, tash duke lexuar në përkthim përmbledhjen e haditheve të Buhariut i ndërrojnë dispozitat e sheriatit, vendosin dispozita të reja, nuk i pranojnë medhhebet, i gjykojnë imamët (themeluesit e medhhebeve), e kritikojnë Ebu Hanifen dhe medhhebin e tij se nuk i paskëshen njohur hadithet e të ngjashme.
Me përpunimin e kësaj mes’eleje dëshiroj që lexuesve të respektuar t’u dëshmoj se studimi i fikhut nuk është çështje e thjeshtë, por është punë që kërkon shumë mundim, mësim dhe përpjekje. Për çdo rast kjo është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë se sa të merret përmbledhja e hadithit, të lexohet dhe të merret e gatshme. Po të kishin vepruar ashtu muxhtehidët islamë, ne sot nuk do të kishim këtë që kemi. Dua të tregoj se edhe çështjes më të imtë nga lëmia e fesë, dijetarët ia kanë kushtuar kujdesin e duhur, e kanë shqyrtuar, studiuar, kanë menduar dhe kanë marrë qëndrim për të.
Pse Ebu Hanifja r.a. ka thënë që amin në namazin e përbashkët të shqiptohet në vetvete e jo me zë, do të jetë temë shqyrtimi në këtë punim? A e ka thënë këtë në mënyrë arbitrare dhe nga vetvetja, që dushmanët ia mveshin, apo këtë e ka bazuar diku?! Si edhe muxhtehidët tjerë, imam Ebu Hanife r.a. me nxënësit dhe dijetarët e tij secilën çështje e kanë studiuar gjatë, e kanë hulumtuar në Kur’an dhe në Sunnetin e Pejgamberit a.s. e pastaj kanë marrë qëndrim islam për çështje të caktuara.
Asnjë pikëpamje nuk e kanë thënë në mënyrë paushale apo nga koka e tyre, por të gjitha i kanë bazuar në burime islame. Armiqtë e islamit duan t’i hutojnë muslimanët dhe t’ua paraqesin se si themeluesit e medhhebeve i kanë çpikur medhhebet dhe kanë nxjerrë dispozita të cilat nuk janë nga Kur’ani dhe Sunneti, dhe përhapin propagandë se muslimanët nuk duhet t’i ndjekin, nga arsyeja se ata janë njerëz të rëndomtë, por duhet ndjekur Kur’anin dhe Sunnetin. Të themi kështu thjeshtë: “Sikur armiqtë e Islamit t’ia arrijnë t’i zhdukin medhhebet dhe ixhtihadin e dijetarëve të mëparshëm të cilët i kanë përpunuar mësimet e Kur’anit dhe të Sunnetit dhe ua kanë lehtësuar muslimanëve për ndjekje, qoftë edhe nëse ua lënë të ruajtur Kur’anin dhe Sunnetin pa shpjegim, këto dy burime do të ishin të paqarta dhe muslimanët nuk do të mund t’i kuptonin dispozitat islame.
Ky lloj sulmi ndaj muslimanëve është aktual në këtë kohë, andaj ua tërheqim vërejtjen muslimanëve nga ata që flasin kundër medhhebeve dhe imamëve e fetarëve të mëdhenj siç kanë qenë Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmed ibn Hanbeli etj.. Medhhebet nuk janë tjetër, as më pak as më shumë, veçse përpunim dhe shpjegim i Kur’anit dhe Sunnetit. Porositë nga Kur’ani dhe Sunneti drejtpërdrejt mund t’i marrin dhe kuptojnë vetëm ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit – muxhtehidët. E nuk mundën ata që këtë nuk e kanë arritur. Kjo pikëpamje, sigurisht do të jetë edhe më e qartë pas këtij punimi.
PËRCAKTIMI I SHQIPTIMIT TË FJALËS “AMIN” NË NAMAZE
Hadithet të cilat flasin mbi këtë temë:
1. Ebu Hurejre r.a. transmeton se i dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “ Kur të thotë imami “gajril magdubi alejhim ve leddal-lin” – ju thuani amin. Amini i kujt përputhet me amin-in të cilin e shqiptojnë engjejt, do t’i falen mëkatet”.
(Buhari, I-108)
2. Ebu Musa el-Esh’ari r.a. në një hadith më të gjatë transmeton: “I dërguari i Allahut na ka mbajtur fjalim, na e ka mësuar Sunnetin e tij dhe mënyrën e faljes së namazit. Ka thënë: “Kur të faleni dhe t’i rrafshoni rreshtat, një le të ju udhëheq në namaz (imam), kur ai të theksojë tekbirin, thuani edhe ju. Kur ai të thotë “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin”, ju thuani amin – Allahu xh.sh. do t’u përgjigjet”.
(Muslim, I-174)
3. Tabiini i njohur, dijetar i fikhut, Ibrahim en-Nehiu ka thënë: “Pesë gjëra imami i shqipton në vetvete (pa zë): Subhanekallahumme ve bi hamdike, eudhubil-lahin, bismil-lahin, amin dhe rabbena lekel-hamdu”.
(Abdurrezak në Musannifin Atharu-Sunen 1-99)
4. Ebu Vail transmeton: “Ali ibn Ebiu Talibi dhe Abdullah ibn Mes’udi në namaze Eudhubil-lahin, Bismil-lahin dhe Aminin i kanë lexuar në vetvete, jo me zë”.
(Transmeton Taberaniu në El-Kebir)
5. Transmeton Ebu Seid el-Bakkali nga Ebu Vaili se ka thënë: “As Omeri e as Aliu në namaz nuk e kanë lexuar me zë Bismilahin as Amin-in.”
(Ibn Xherir et-Taberi në Tehdhibul-Athar, El-Xhevherul-Nehijje, 1-130)
6. Transmeton Alkame nga Vaili, kurse ai nga babai i tij: ”Se është falur me Pejgamberin a.s dhe kur ka ardhur te “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin”, ka thënë amin – këtë e ka bërë me zë të ultë – në vetvete.”
(Ahmedi, Ebu Davudi, Et-Tajalisi, Ebu Ja’la el-Musoli në Musnedet e tyre dhe Daru Kutnijj dhe El-Hakim në Mustedrek dhe ka thënë Sahihul-isnadi, me varg të shëndoshë të transmetuesve).
Nga transmetimet e theksuara shihet qartas se është Sunnet të shqiptohet amin pas imamit, pas leximit të tij “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin” dhe atë në vetvete pa zë. Në këto dhe në argumentet tjera të cilat do t’i theksojmë në këtë punim, shkolla juridike hanefite e themelon qëndrimin e vet në lidhje me shqiptimin e amin-it në namazin e përbashkët. Pra, dijetarët e shkollës juridike hanefite nuk e kanë thënë këtë krye në vete, pa kurrfarë argumenti nga burimet islame.
Mirëpo, të gjithë nuk mendojnë ashtu. Ekzistojnë transmetime prej të cilave të tjerët kuptojnë se shqiptimi i amin-it duhet të bëhet me zë jo në vetvete. Cila është më e drejtë nga këto dy parime, unë nuk jam kompetent që ta them këtë, e as që dua të them se njëra është më e drejtë se tjetra. Unë e kam për qëllim që, palës e cila tenton të paraqes se ixhtihadi i medhhebit hanefij nuk është i themeluar në Kur’an dhe Sunnet dhe thonë se kjo është një përmbledhje e parimeve dhe mendimeve racionale të Ebu Hanifes, t’u them se janë në mashtrim në lidhje me këtë. Ata nga ky shkak e sulmojnë medhhebin hanefij dhe dëshirojnë ta vendosin pamedhhebizmin në ato midise ku ai praktikohet me shekuj. Ne e respektojmë rezultatin e ixhtihadit të secilit muxhtehid të pranuar, por e ndjekim Ebu Hanifen. Sepse edhe ai është muxhtehid i pranuar nga ummeti.
Dhe qëllimi i dytë është që pjesëtarëve të medhhebit hanefij, të cilët nuk kanë patur mundësi t’i mësojnë të gjitha argumentet (delil) në të cilat medhhebi hanefij i mbështet parimet e veta, ta kthejë dhe ruajë besimin dhe qetësinë që në fikh e ndjek një muxhtehid. Me këtë ata e ndjekin imperativin kur’anor:
فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ …
“ … pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini” (En-Nahl, 43.) Me “ehledh-dhikri” në këtë ajet te dijetarët e usulit nënkuptohen muxhtehidët. Kështu që mund të themi se ata që e ndjekin medhhebin, i cili është i pranuar nga ummeti, ata në realitet në kuptimin e vërtetë e ndjekin Kur’anin.
Ndërsa ata që u kundërvihen medhhebeve dhe me plotë gojën pohojnë se e ndjekin Kur’anin dhe Sunnetin, duke mos qenë muxhtehidë, dhe i ftojnë njerëzit që t’i ndjekin në rrugën e tyre, ata trillojnë novatorinë (bid’atin) më të rrezikshëm i cili e rrënon sheriatin nga brenda. Mos të mashtrohen muslimanët pse ata thonë se e ndjekin rrugën e Kur’anit dhe të Sunnetit të Pejgamberit a.s. Nuk është e njëjtë të flitet se ndiqet rruga e Kur’anit dhe Sunnetit dhe vërtetë të ndiqet rruga e Kur’anit dhe Sunnetit.
Rruga e Kur’anit dhe Sunnetit në ndjekjen e dispozitave të fikhut është rruga nëpër të cilën kanë ecur as’habët, tabiinët dhe selefi-salihu (gjeneratat e mira të paraardhësve). E ajo është shikuar në atë se në secilën prej gjeneratave të përmendura ka patur muxhtehidë, themelues të medhhebeve dhe atyre u janë drejtuar dhe i kanë pyetur besimtarët. Kjo ka qenë në gjeneratën e as’abëve, të tabiinëve dhe në gjeneratat e mëvonshme. Rruga e Kur’anit është rruga e respektimit të dijetarëve. Ashtu ka qenë deri në këtë kohë. Në këtë kohë paraqitën individë dhe grupe të cilët duan që ta interpretojnë Kur’anin dhe hadithin përseri, prej fillimit. Nuk i pranojnë medhhebet e as autoritetet. Ata thonë: “Secili duhet t’i lexojë hadithet dhe sipas tyre të veprojë”. Ne themi se kjo është metodë e gabueshme dhe ajo i shpie muslimanët në mashtrim dhe në konflikte.
ARGUMENTET E TË TJERËVE DHE QËNDRIMI I MEDHHEBIT HANEFIJ KUNDREJT KËTYRE ARGUMENTEVE
1. Ebu Seken Haxher ibn Anbes eth-Thekafij r.a. ka thënë: “ E kam dëgjuar Vail ibn Haxher el-Hadremijjin duke thënë: “E kam parë Pejgamberin a.s. kur e ka përfunduar namazin, madje nga ky kënd e kam parë fytyrën e tij, kur ka lexuar “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin”- ka thënë amin duke e zgjatur zërin (medde biha savtehu)- unë mendoj se e ka bërë këtë ashtu vetëm për të na mësuar.”
(Hafidh Ebu Bishr Ed-Dulabi në veprën El-Esma vel-Kunja)
Senedi (zingjiri i transmetuesve) të këtij hadithi është si vijon: Na ka rrëfyer Hasan ibn Ali ibn Affan, na ka rrëfyer El-Husejn ibn Atijje, na ka rrëfyer Jahja ibn Sel-leme ibn Kuhejl nga babai kurse ai nga Ebu Sel-leme. Në këtë sened gjendet Jahja ibn Sel-leme, për të cilin shkencëtarët e hadithit kanë thënë se transmeton hadithe jo të besueshme (daif), andaj si i tillë refuzohet. Dhe, mjafton nëse në senedin e një hadithi gjendet vetëm një person i dyshimtë që hadithi të vlerësohet me vlerësimin daif (i dobët) dhe si i tillë nuk përdoret në lëminë e dispozitave.
Në veprën “Et-Telhisul-habir” (1-89) qëndron: “Tirmidhiu ka theksuar në Sunenin e tij: “Këtë hadith e transmeton Shu’be nga Sel-leme ibn Kuhejli, andaj e ka futur në sened ndërmjet Haxherit dhe Vailit Alkam ibn Vailin dhe ka thënë: “Iu mor zëri duke shqiptuar amin”. Pra këtu e kemi transmetimin e njëjtë, hadithin e njëjtë nga dy transmetues të cilët nuk pajtohen në porosinë e pjesës së hadithit për të cilën është fjala në këtë punimin tonë. E kemi transmetimin nga Sufjan Thevriu i cili thotë se Pejgamberi a.s. me zë ka lexuar amin, dhe transmetimin nga Shu’be r.a. i cili hadithin e njëjtë e transmeton me porosinë se Pejgamberi a.s. në vetvete e ka lexuar amin-in pas Fatiha-së.
Transmetimi i kujt është më i fuqishëm te dijetarët e fikhut, i Sufjanit apo ai i Shu’bes?! Kjo ka qenë temë shqyrtimi në mes të dijetarëve. Tirmidhiu në veprën El-Hilal ka thënë: Ka thënë Aliu: “E kam pyetur Jahjanë, cili më mirë dhe më saktë i ka mbajtur në mend hadithet Sufjani apo Shu’be? Ka thënë: “Shu’be në këtë ka qenë më i thellë se sa Sufjani.” Jahja ibn Seid ka thënë: “Shu’be ka qenë më i ditur në lidhje me njerëzit në sened – Filani nga Filani, kurse Sufjani i ka njohur më mirë kaptinat e tëra”.
Transmeton Ebu Talibi nga Ahmedi: “Shu’be është më i dijshëm në dispozita (hukm) nga El-A’meshi dhe më i dijshëm është në hadithe, të cilat flasin për dispozita (hadithul-ahkam). Po të mos ishte Shu’be do të humbnin hadithet mbi dispozitat. Shu’be është njohës më i mirë i haditheve se sa Sufjan Thevriu. Në kohën e tij askush nuk ka qenë më i dijshëm në hadith se sa Shu’be r.a.”
Muhammed ibn Abbas En-Nesai r.a. ka thënë: “E kam pyetur Ebu Abdullahun r.a.: “Kush është më i fortë në njohjen e hadithit Shu’be apo Sufjani? Ka thënë: “Sufjani është njeri hafidh dhe ka qenë njeri i mirë, por Shu’be është më i besueshëm se ai dhe ai është njeriu më i devotshëm të cilin e njoh unë.”
Hammad ibn Zejdi ka thënë: “Nuk i vë veshin kush i kundërvihet mendimit tim nëse ai përputhet me mendimin e Shu’bes r.a. Nëse në diçka mendimi im nuk pajtohet me atë të Shu’bes atëherë e lë mendimin tim”.
Dikush i ka thënë Ebu Davudit: “Ai (Shu’be) është më i mirë në hadith se Sufjani! Ka thënë: “Në botë nuk ka më të mirë në hadith se sa Shu’be dhe Maliku. Shu’be nganjëherë gabon në emra (sened) për shkak të sasisë madhe që mban në mend të metnit (teksti i hadithit).”
Ka thënë Edh-Dhehebiu në “Tedhkiretu huffadhi”: “Ka thënë Ebu Zejd El-Herevi: E kam dëgjuar Shu’ben duke thënë: “Të bie nga lartësitë qiellore dhe të thyhem, më i kënaqur do të isha se sa të gaboj në citimin e hadithit.” (1-183)
Kjo është thënë për Shu’ben r.a. Sa i përket Sufjan Thevriut r.a. p.sh. në “Takrib” për të thuhet “Sadukun”- transmetues i sinqertë, por nganjëherë transmeton edhe transmetime të pasakta, (fq. 164) Dhe sa i përket konkretisht këtij hadithi të cilin e transmeton Sufjani me “ka thënë amin me zë të lartë, “Shu’be hadithin e njëjtë e transmeton me “ka thënë amin në vetvete.” Pos Shu’bes mbi këtë çështje edhe Muhammed ibn Xhaferi, Ebu Davud et-Tajalisi, Jezid ibn Zeri, Amr ibn Merzuk, të gjithë këta janë pajtuar për shqiptimin e amin në vetvete.”
Ka thënë Ahmed Zafer Osmani: “Pasi që në këtë hadith janë mendimet e kundërta në mes Shu’bes dhe Sufjanit – është e nevojshme t’i jipet prioritet ose përparësi njërit ndaj tjetrit. Duke sqaruar këtë themi se: “Hadithi i Shu’bes r.a. në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s në vetvete ka lexuar amin është më i fortë me rivajet (sened) dhe me dirajet – porosi përmbajtje.” Tashmë kemi thënë se Shu’be r.a. te shumica e dijetarëve është më i njohur se Sufjani dhe është më e afërt dhe më e drejtë që ai i cili është më i njohur mendimi i tij të jetë më i fortë dhe më i pranuar. Shu’be është EMIRUL-MUMININE në hadith. Sa i përket vetë porosisë së këtyre dy haditheve, themi se transmetimi i Shu’bes edhe nga ky aspekt është më i fortë. Për arsye se amin është dua. Kurse esenca e duasë është që të bëhet në vetvete. Allahu xh.sh. thotë:
أُدْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعاً وَ خُفْيَةً …
“ Lutnie Zotin tuaj të përulur e në heshtje … (El-A’raf, 55.).
Buhariu, duke transmetuar nga Ata’ në Sahihun e tij thotë: “Amin është dua”.
Ebu Shejh me sened të ngjitur transmeton nga Enesi këtë hadith sahih: “Duaja në fshehtësi është më e vlefshme se shtatëdhjetë dua publikisht”.
Ibn Hibbani r.a. në sahihun e tij e transmeton këtë hadith merfu’: ““Duaja më e vlefshme është ajo që lexohet në fshehtësi”. Nëse kemi thënë se amin është dua, atëherë është e logjikshme se nëse është më e mirë dhe më e vlefshme ajo dua që bëhet në vetvete që edhe leximi i amin të bëhet në vetvete e jo me zë. Për këtë arsye edhe shumica e as’habëve dhe tabiinëve amin e kanë lexuar në vetvete-pa zë.
(Xhevherun-Nekijj, 1-32)
Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. nga Nah’iu, Sha’biu, Ibrahim et-Tejmiu se as’habët në vetvete e kanë shqiptuar amin. Për këtë arsye edhe i jipet përparësi hadithit, të cilin e transmeton Shu’be r.a. ndaj hadithit që e transmeton Sufjani në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. “e ka zgjatur me të zërin” (medde biha savtehu), që mund të ketë edhe kuptimin se ai e ka zgjatur zërin duke shqiptuar amin në vetvete, sepse edhe në medhhebin e Sufjan Thevriut thuhet se shqiptimi i amin në namaz duhet të bëhet në vetvete e jo me zë.
(I’lau sunen 1-219)
Kurse transmetimin në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. ka lexuar amin me zë ne e kuptojmë se ajo është bërë me qëllim të mësimit të tjerëve. Këtë metodë e ka përdorur edhe Omeri r.a. kur nganjëherë e ka lexuar me zë edhe subhaneken në mënyrë që të mësojnë ata që falen pas tij. Kjo poashtu transmetohet edhe nga Ebu Hurejre r.a.
Mbi këtë është prononcuar edhe Ibn Kajjim el-Xhevzijje r.a.: “Nëse ndonjëherë imami lexon me zë me qëllim të mësimit të tjerëve, në të nuk ka dëm, sepse edhe Omeri ka lexuar me zë kur ka hyrë në namaz për t’i mësuar të besimtarët. Ibn Abbasi po ashtu në xhenaze e ka lexuar Fatihan me zë, për të treguar se kjo është sunnet, i njëjtë është edhe rasti i leximit të imamit me zë të fjalës amin.”
(Zadul-mead 1-71)
Ndërkaq, nga hadithi prej Vail ibn Haxherit, vërejtëm se në fund thotë: (Ma erahu il-la jual-limuna) – e shoh se dëshironte të na mësojë”.
ARGUMENTE TJERA
Sa u përket argumenteve të tjera, të cilat theksohen si dëshmi e rregullësisë së shqiptimit të amin-it me zë, do t’i citojmë dhe për secilën do të flasim.
1. Në veprën Et-Telhisul-habir (1-89) nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se kur Pejgamberi a.s. e ka kryer Fatihan e ka ngritur zërin dhe ka thënë amin”.
(Ed-Daru Kutnijj dhe El-Hakim)
Daru Kutnijj ka thënë: “Senedi i këtij hadithi është hasen-i mirë. Kurse Hakimi ka thënë: Sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Edhe Bejheki ka thënë: Hasenun sahih. (Hadith i mirë i rregullt.)
Mirëpo, në veprën “Xhevherun-Nekijj” (1-132) theksohet se në senedin e këtij hadithi Jahja ibn Osman ibn Hatem ka thënë: ” Për të kanë folur në Keshshaf nga Dhehebiu: “Ai ka edhe atë e cila i refuzohet”.
En-Nesaiu ka thënë: “Nuk është i besueshëm”. Kurse Muhammed ibn Avf Et-Tai, muhaddith i Homsit për të ka thënë se është gënjeshtar”.
Në veprën “Ta’likul-hasen” (1-93) thuhet: “Në senedin e hadithit të cilin e transmeton Hakimi dhe Daru Kutnijj gjendet Is’hak ibn Ibrahim el-Alai ez-Zubejdi ibn Zebrik nga i cili as Buhariu e as Muslimi nuk kanë dashtë të marrin hadithe, si dhe as katër transmetuesit tjerë të njohur në Sunenet e tyre. En-Nesai për të thotë se është transmetues daif - i dobët (i pabesueshëm). Kurse Muhammed ibn Avf et-Tai për të thotë se është gënjeshtar”.
Në veprën “Tehdhibut-Tehdhib” qëndron: “El-Axheri transmeton nga Ebu Davudi se Muhammed ibn Avf ka thënë: Nuk dyshoj aspak se Is’hak ibn Zeberik është gënjeshtar”. (1-216)
Megjithatë, do të thotë se pas kësaj nuk mund të thuhet për senedin e këtij hadithi se është ajo që ka thënë El-Hakimi që është në kushtet e Buhariut dhe Muslimit.
(I’lau sunen 1-221)
2. Ibn Maxhe r.a. transmeton nga Ebu Hurejre r.e. se ka thënë: “Njerëzit e patën lënë pas dore shqiptimin e amin, kurse Pejgamberi a.s. pasi këndonte “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin” thoshte amin – madje e dëgjonin ata që ishin në saffin e parë – e nga kjo xhamia ushtonte”. (1-62)
Them: ”Ky hadith nuk e ka të rregullt as senedin e as metnin. Për sa i përket senedit: “Për shkak se në të gjendet Bishr ibn Rafiî – për të cilin Buhariu ka thënë se nuk është i besueshëm në hadith. Ahmed ibn Hanbeli për të ka thënë: “Daif – i dobët.” Ibn Maxhe ka thënë: “Ka transmetuar hadithe të trilluara (munker)” (Mizan, 1-147). Hafidhi në veprën “Tehdhibut-tehdhib” ka thënë: “Ibn Abdul-Berr në “Kunja” ka thënë: “Ai është i dobët, transmeton hadithe të rrejshme”.
Në veprën “El-Insaf”: “Janë pajtuar se ai ka transmetuar hadithe të rrejshme dhe i refuzohet çdo gjë që transmeton, ashtu që dijetarët nuk bazojnë asgjë në transmetimet e tij. Në mes të shkencëtarëve të hadithit nuk ka divergjencë mendimesh rreth çështjes së Bishr ibn Rafiut”.
Ndërkaq, sa i përket parregullësisë në metën (teksti i hadithit) aty janë dy fjali që janë të palogjikshme. Kuptohet nga hadithi se Pejgamberi a.s. e ka shqiptuar me zë amin-in – për ta dëgjuar në safin e parë – dhe shton “që xhamia të ushtojë”. Nëse është me zë ashtu që të ushtojë xhamia – atëherë do të dëgjonin të gjithë edhe në safat tjera – e jo vetëm në safin e parë. Pastaj hadithin e njëjtë e transmeton Ebu Davudi pa shtesën “që xhamia të ushtojë”.
3. Gjithashtu theksohet transmetimi në Musnedin e Is’hak ibn Ravejhit: ”Na ka njoftuar En-Nadr ibn Shumejl nga Harun el-Averi, nga Ismail ibn Muslimi, nga Is’hak ibn Um el-Husej, e ky nga nëna e tij se ka thënë: “Jam falur me Pejgamberin a.s, e kur e ka lexuar “ve leddal-lin” – ka thënë amin – e ka dëgjuar nga safat e grave.
(Zejleiî 1-196)
Mirëpo, në këtë sened është Ismail ibn Muslim el-Mekki, i cili është daif. Ahmedi ka thënë: “transmeton hadithe munker (të trilluara)”. En-Nesai ka thënë: “ Metrul – hadithet e tij lëhen – refuzohen”. Ali ibn el-Medini ka thënë: “Hadithet e tij nuk shkruhen”. Ibn Muin ka thënë: “Ismail ibn Muslim el-Mekki nuk është asgjë”.
(El-Mizan 1-115)
4. Buhariu ka shënuar ta’lik (koment) nga Aisheja r.a., të njëjtin e thekson edhe Abdurrezaku nga ibn Xhurejxhi nga Ata’ – se ka thënë: “E kam pyetur: “A e ka shqiptuar Ibn Zubejri amin në fund të Fatihas? Ka thënë: “Po, dhe ata pas tij kanë shqiptuar amin sa që në xhami është dëgjuar zhurma”.
(Fet’hul-Bari 7-217)
Edhe El-Bejheki ka shënuar transmetimin nga Atau i cili ka thënë: “I kam përjetuar në këtë xhami dyqindë falës, kur imami thotë “ve leddal-lin” e kam dëgjuar zhurmën e fjalëve të tyre amin.
Komenti ynë: Fjalëve dhe veprave të as’habëve nëse u kundërvihen fjalë dhe vepra të as’habëve tjerë nuk merren si argument. Ne kemi transmetime të qarta dhe të sakta nga Omer ibn Hattabi, Ali ibn Ebi Talibi dhe Abdullah ibn Mes’udi r.a. se amin-in e kanë shqiptuar pa zë dhe ata janë të mjaftueshëm si shembull. Vërejtëm gjithashtu transmetimin të cilin e ka shënuar Taberiu se shumica e as’habëve dhe tabiinëve amin-in e kanë theksuar në vetvete –pa zë.
PËRFUNDIM
Nga krejt ajo që u theksua në këtë temë, mund të nxirret ky përfundim: Theksimi i amin-it në vetvete pas Fatihas është bazë – asl dhe këtë nuk duhet lënë, pasi që nuk ka argument të fortë i cili dëshmon se duhet vepruar ndryshe. Ajo që është parë te Pejgamberi a.s. se njëherë ka theksuar amin-in me zë, ne e shpjegojmë se ai këtë e ka bërë për t’i mësuar të tjerët – e jo se duhet të theksohet me zë në të gjitha namazet. Përparësi i jipet asaj që është bazë – (asl) dhe çka është burimore dhe e pamë nga transmetimet se shumica e as’habëve dhe tabiinëve amin-in e kanë theksuar në vetvete- pa zë.
DHE NË FUND
Pra, ajo që veprojnë boshnjakët- muslimanët në xhamitë e tyre, që e falin namazin me dinjitet, me përulje, qetë dhe me diciplinë dhe që nuk e theksojnë amin-in me zë, nuk është risi-trillim i tyre, e as nuk është trillim i imamit tonë të ndershëm Ebu Hanife r.a.
Kjo që disa zotërinjë i çudit, kur kanë ardhur në Bosnje dhe i kanë parë boshnjakët – muslimanët duke mos e theksuar amin-in me zë, e thonë: “Sikur në mesin tonë të paraqitej Pejgamberi a.s. apo ndonjëri prej as’habëve të tij r.a. prej fesë nuk do të na njihshin asgjë përpos Kibles” Imad El-Misri, hyrje, “Botëkuptimet të cilat duhet t’i përmirësojmë”.
Andaj me qëllim të kthimit të boshnjakëve në “rrugë të drejtë” e ka shkruar veprën “kapitale”“BOTËKUPTIMET TË CILAT DUHET T’I PËRMIRËSOJMË”, të cilës zotëriu i theksuar dhe shoqëria e cila qëndron pas tij, sigurisht pa vetëdije ia kanë dhënë titullin e vërtetë, sepse fjala është për botëkuptimet të cilat duhet përmirësuar, që nënkuptohet nga vetë titulli. Pra, në libër është fjala për botëkuptimet të cilat duhet t’i përmirësojnë ata që qëndrojnë pas këtij libri, mu ashtu, goditje në cak me zgjedhjen e titullit të kësaj broshure.
Unë do të isha pak më modest e do të thosha, le t’i përgjigjen titullit të asaj broshure ata që e kanë shkruar dhe t’i ndryshojnë botëkuptimet të cilat duhet ndryshuar veçmas rreth kaptinës së ibadatit, apo edhe më konkretisht dispozitat të cilat i kanë përmendur rreth namazit. Zotëri Misri çuditet që boshnjakët-muslimanët e theksojnë amin-in në vetvete, shpresoj se nëse ka mundësi ta lexojë këtë punim më nuk do të çuditet. Sepse ia kemi dëshmuar se kjo në realitet ka qenë praktika e Pejgamberit a.s. Ai dhe njerëzit e tij çuditen edhe për dukuri të tjera tek ne: “Çuditen që te ne gratë falen ndryshe nga burrat dhe fton që të falen njësoj gratë dhe burrat, çuditen që boshnjakët-muslimanët i ngrejnë duart vetëm në tekbirin fillestar, e jo katër herë në çka ai i fton, çuditen që ndiqet Ebu Hanifja si muxhtehid, ndërsa edhe ai vetë ka thënë “nëse gjendet hadith sahih” ai është medhhebi i tij, dhe ja Imad Misri ka gjetur hadithe sahih, të cilat Ebu Hanifja nuk i ka ditur, andaj i kthen Boshnjakët-muslimanët që t’i ndjekin.
Por, vëllai im i dashur, për diçka të tillë nevojitet pak më tepër, më kapitale se sa libreza ”“BOTËKUPTIMET TË CILAT DUHET T’I PËRMIRËSOJMË”. Mirëpo, i ri je siç po shihet, andaj e ke rastin. Mirëpo vëlla, atë që ke shkruar për as’habin ibn Mes’ud nuk i ka hije atij që pretendon të bëhet muxhtehid. Për as’habët duhet të flitet me respekt. Kurse Abdullah ibn Mes’udi zë vend të madh, së pari te Pejgamberi a.s. e pastaj te të gjithë muslimanët. Ai është njëri prej të rrallëve që gjithmonë kanë qenë me Pejgamberin a.s. Madje edhe ka fjetur në shtëpi të Pejgamberit. Halifi Omer r.a. e ka dërguar në Kufe, e cila më vonë falë atij u bë qendër e njohur shkencore.
Vetë Ali ibn Ebi Talibi këtë vend e ka quajtur medinetul-ulemai (qytet shkencëtarësh). Dëshira e Allahut ka qenë që në këtë “qytet shkencëtarësh” ka lindur edhe Ebu Hanifja r.a., ndërsa ju në një artikull tuajin e keni prezentuar, se Abdullah ibn Mes’udi thuaja se ka harruar çdo gjë që ka ditur. Ashtu që është dashur t’i mësohet prej fillimit sa rekate ka namazi i sabahut, pastaj kishte harruar se Pejgamberi a.s. gjatë faljes kishte lëvizur krahët e duart, ashtu siç bëni ju sot, por sigurisht nuk ka patur dikend si Misriu, që ja përseri të gjitha të ia mësojë prej fillimit. Është e vërtetë se Ebu Hanifja krejt fikhun e ka marrë përmes mësuesve të tij nga Abdullah ibn Mes’udi, i cili në gjeneratën e as’habëve ishte më i dituri në çështjet e dispozitave të fikhut. Ne, pjesëtarët e medhhebit hanefij mburremi me këtë.
T’i hyhet punës me të cilën janë marrë muxhtehidët, nuk është gjë e lehtë siç e paraqitni ju. Nuk është kjo sikur kur ka ardhur një beduin te Pejgamberi a.s. për ta pyetur për atë që i nevojitet për ta shpie në xhennet, dhe Pejgamberi a.s. shkurtimisht i tregon veprimet të cilat do ta shpiejnë në xhennet. Ndonëse ky rast është i vërtetë, megjithatë nuk ka ndodhur që ai beduin më vonë t’i vizitojë të tjerët duke luajtur rolin e muxhtehidit, duke folur se si Islami është i thjeshtë dhe çdokush mund ta mësojë dhe përvetësojë për disa orë, siç e paraqitni ju sot. Të paktën, të flitet për fikhun dhe për dispozitat e fikhut, duke mos njohur shkencën e cila quhet –usuli fikh – është qesharake.
Nuk është e mjaftueshme të merret një përmbledhje e haditheve të lexohet një hadith dhe të thuhet: “Kjo është rruga e drejtë, dhe nuk bën ndryshe.” Shkencëtarët e hadithit janë sikurse farmaceutët që ruajnë barëra të ndryshme por pa mjekë nuk dinë cili bar është për cilën sëmundje. E këta janë shkencëtarët e fikhut. Andaj ai që në fikh i referohet Ibn Haxher Askalaniut apo Buhariut, është si ai që në çështjet e kimisë i referohet historianit ose në pyetjet e filozofisë i referohet ekspertit të matematikës.
Cilido që vepron kështu në botën e njerëzve normalë, të krijesave të kuptueshme të Allahut, duket si dikush që i ka ngatërruar të gjitha. Andaj, ty vëlla, Imad El-Misri, të rekomandoj nëse mendon ta vazhdosh punën në rrugë për t’u bërë muxhtehid, atëherë përveç veprave të hadithit të cilat i ke, blije edhe ndonjë vepër të fikhut. Shpresoj se edhe kur ta lexosh këtë punim do të zbulosh diç nga kjo shkencë fisnike, shkenca e fikhut, për të cilën Pejgamberi a.s. ka thënë:
مَنْ يُرِدِ اللهُ بِهِ خَيْراً يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ .
“ Kujt Allahu xh.sh. i dëshiron mirë, do ta udhëzojë në kuptimin e dispozitave fetare”.
(Buhariu, Muslimi)
Rruga e ardhjes deri te një dispozitë (hukm) është shumë më e vështirë dhe kërkon angazhime, punë dhe hulumtime, shumë më tepër se sa që mendoni ju të cilët quheni selefij, të cilët me apo pa vetëdije e propagandoni risinë më të rrezikshme e cila e rrënon dhe e prish sheriatin islam.
وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلَّم
VIJON…