Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Vlera e dhikrit

View previous topic View next topic Go down  Message [Page 1 of 1]

1 Vlera e dhikrit on Sat Oct 10, 2009 3:32 am

QeNdRiM


.
.
Na ka treguar Kutejbe b. Seidi, na ka treguar Xheriri nga el Eamashi, ky nga Ebu Salihi, e ky nga Ebu Hurejra r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtetë Allahu xh. sh. ka engjëj të cilët frekuentojnë rrugëve dhe kërkojnë (hulumtojnë) ata që bëjnë dhikr, e kur e gjejnë një popull (grup) njerëzish që përmendin Allahun (bëjnë Dhikr), thirrin (duke e thirrur njëra tjetrën); ejani, këtu është ajo që e kërkoni.

Tha: me krahët e tyre i rrethojnë (mbulojnë) ata që e përmendin Allahun xh.sh. dhe ngriten palë palë deri në qiellin e kësaj bote. Tha: Në këtë rast Allahu xh.sh. i pyet, edhe pse Ai e din më mirë se ata. Çfarë thotë robi im?. Tha: Engjëjt thonë; Ata thonë “subhanall-llah- pastrojnë njësinë tënde nga çdo e metë, të madhërojnë Ty duke thënë Allahu Ekber - Allahu është më i madhi, të falënderojnë Ty duke thënë Elhamdulil-lah - Falënderimi i takon vetëm Allahut. Allahu xh.sh. thotë: A më kanë parë robërit e mi? Melekët përgjigjen: Jo pasha Allahun, nuk të kanë parë ! (Pejgamberi a.s.) Tha: Allahu xh.sh. thotë: Si do të qëndronte puna me ta sikur të më kishin parë Mua? Engjëjt thonë: Sikur ata të kishin parë Ty, sigurisht se edhe më shumë do të kishin bërë Ibadet - adhurim, edhe më shumë do të kishin thënë Subhanall-llah, Elhamdulila dhe Allahu Ekber. Allahu xh.sh. i pyet engjëjt: Çfarë kërkojnë nga Unë? Engjëjt thonë: Po kërkojnë xhenetin. Allahu xh. sh. i pyet: A e kanë parë xhenetin? Melekët përgjigjen. Jo pasha Allahun, ata nuk e kanë parë xhenetin. Allahu xh.sh. i pyet; Çka do të kishin bërë sikur ta kishin parë xhenetin? Engjëjt i thonë: Sikur ata ta kishin parë xhenetin do të ishin edhe më të kujdesshëm për të, do ta kishin kërkuar edhe më shumë, do tu shtohej edhe më shumë dëshira për të. (Pejgamberi a.s.) tha: Allahu xh.sh. thotë: Prej çka kërkojnë mbrojtje ?. Tha; Engjëjt thonë: kërkojnë mbrojtje nga zjarri i xhehenemit. Allahu xh. sh. i pyet engjëjt. A e kanë parë ata xhehenemin? Engjëjt përgjigjen: Jo Vall-llahi nuk e kanë parë. Allahu xh.sh. sërish pyet: Çka do të kishin bërë sikur ta kishin parë? (Pejgamberi a.s.) tha: Melekët thonë: Sikur ta kishin parë xhehenemin, sigurisht do të ishin larguar sa më shumë prej tij dhe do të ishin frikuar edhe më shumë prej tij. (Pejgamberi a.s.) tha: Allahu xh.sh. thotë: Ju jeni dëshmitarë se vërtetë Unë ua fala atyre mëkatet. (Pejgamberi a.s.) tha: Një melek prej melekëve i habitur thotë: O Zoti im, në mesin e tyre është filani, i cili nuk është prej tyre (atyre që e përmendin Allahun), porse ai aty ka prezantuar për ndonjë interes të tij. Allahu xh.sh. tha: Ata janë kuvendar dhe me të tillë nuk dëmtohet mexhlisi i tyre.

Shpjegimi i përgjithshëm i hadithit

Hadithi i lartpërmendur është hadith Kudsij, i regjistruar në koleksionin e imam Buhariut me transmetim nga Ebu Hurejra r.a. Ngjashëm me këtë hadith gjejmë edhe te koleksionet tjera të haditheve si te imam Muslimi, Nisaiu etj., me ndonjë dallim në shprehje.

Hadithin në fjalë, nëse e vështrojmë nga këndi analitik shkencor islam, gjejmë se në vete ngërthen një sërë tematikash të ndryshme, porse përqendrimi i tij është mbi vlerën dhe dobitë e dhikrit, përmendjes së Allahut xh.sh.. Hadithi në fjalë jep mesazh të qartë se përveç ibadeteve - adhurimeve detyrimore si namazi, agjërimi, zeqati, haxhi etj, që përmes tyre besimtari islam formon lidhje shpirtërore me Krijuesin e tij, dhe absorbon energjinë e duhur shpirtërore duke madhëruar Allahun xh.sh., ai edhe jashtë këtyre obligimeve detyrimore, përmes formave të tjera gjen mundësi për freskim shpirtërorë dhe zemërorë, për të ringjallur ndjenjat e besimit dhe shpresat e triumfit në betejën e përhershme me djallin. Përmes këtyre formave të dhikrit, arrin që edhe praktikisht të dëshmojë për bindjen dhe identitetin e tij duke mos iu përulur askujt tjetër përveç Allahut të Madhërishëm.

Çka kuptojmë nga hadithi

Dijetarët islam, duke studiuar në detaje argumentet autentike islame bënë përpjekje maksimale që nga çdo argument të përfitojnë dobitë maksimale apo edhe mesazhet që dalin prej tij, qofshin ato detyrimore apo alternative. Ajo që përfitojmë nga ky hadith janë shumë çështje, por që ne do të përmendim disa prej tyre.

-I-



Ky hadith është një nga fundamentet e pa kontestuar që ligjëson mexhliset e dhikrit, vendet ku tubohen besimtarët islam për të përmendur Allahun xh.sh.. Këto Mexhlise Pejgamberi a.s. i ka quajtur kopshte të xhenetit që gjenden në rruzullin tokësorë. Në hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku r.a. ka thënë: “Kur të kaloni pran kopshteve të xhenetit, pushoni”. Të pranishmit pyetën: Cilat janë ato kopshte të xhenetit o i Dërguari i Allahut ? Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) tha: “Mexhliset ku përmendet emri i Allahut”. (Ahmedi dhe Maliku)

Ky argument si dhe shumë të tjerë, është një dëshmi e fuqishme mbi të cilën dijetarët islam në mbarë rruzullin tokësor e edhe në trevat tona mbështetën veprimet e tyre mbi mexhliset e dhikrit, e veçanërisht mexhliseve që në popullatën tonë quhen Kelime-i Tevhid. Jo vetëm që mendoj por jam shumë i bindur se ata të cilët kanë logjikë dhe gatishmëri për të pranuar dhe kuptuar këtë hadith si dhe transmetimet e tjera të këtij lëmi, do të gjenden te ky veprim dhe asnjëherë nuk i ndahen këtij veprimi. Hadithi në fjalë, përmendë nocionin “kavmun” popull apo grup njerëzish, e kjo të len të kuptosh se bëhet fjalë edhe për format e dhikrit individual e edhe atë grupor apo të organizuar. Këtë më së mirë e vërteton fundi i hadithit, kur një prej engjëjve në mënyrë të çuditshme pyet Allahun xh.sh. se në mesin e tyre është edhe Filani, i cili në këtë mexhlis gjendet jo pse është prej atyre që e përmendin shumë Allahun, por për ndonjë interes tjetër, e Allahu i përgjigjet se ky mexhlis falet si i tërë pa copëtime, dhe pa seleksionime. Pra kjo na jep të kuptojmë se bëhet fjalë për formë të organizuar të dhikrit. Gjithashtu na sinjalizon se kërkesat (lutjet-duatë) e parashtruara në mënyrë individuale janë më me pak gjasa për pranim se sa kërkesat (duatë) grupore.

Pra, mendoj se me këtë u mbyllet goja dhe u shteret zëri atyre që gjithnjë po pretendojnë se Kelimetu tevhidi na qenka një bidat i ndaluar dhe myslimanët duhet të heqin dorë prej saj! Nëse edhe më tutje pas këtyre argumenteve vazhdojnë me aludimet e tyre atëherë qartë na bëhet me dije se ata nuk kanë për qëllim tu shërbejnë as islamit e as muslimanëve, porse kanë krejtësisht qëllime tjera, e në këtë rast besimtarët islam duhet të distancohen prej tyre.

-II-



Nga argumentet tjera autentike e dimë se çdo njeri, besimtar apo pabesimtar përcillet nga engjëjt të cilat regjistrojnë të gjitha veprimet dhe sjelljet e njeriut qofshin të mira apo këqija. Mirëpo në këtë hadith nuk bëhet fjalë për këtë lloj të engjëjve, porse bëhet fjalë për engjëj tjerë jashtë këtyre me obligime konkrete. Pra bëhet fjalë për engjëj që Allahu xh.sh. i quan “Engjëj frekuentues” që bredhin e që misioni i tyre është i specifik nga të tjerët, pra këta kanë për detyrë të përcjellin veprimet e ekskluzive të besimtarëve islam, me investigimet e tyre të gjejnë vendet, individët e edhe mexhliset e dhikrit ku përmendet Allahu xh.sh., në forma të ndryshme.

Me qenë se Pejgamberi a.s. në këtë hadith engjëjt i përmend në shumës, për numrin e tyre e din vetëm Allahu xh.sh. porse një gjë është e qartë, se askush dhe asnjë mexhlis i dhikrit nuk mund të shpëtojë nga përkujdesja e tyre. Ndoshta urtësia e shumësit është se sa më i madh do të jetë numri i tyre aq më i begatshëm dhe më i fuqishëm do të jetë edhe mexhlisi i dhikrit. Këto engjëj, përveç se kanë për detyrim të gjejnë mexhliset e dhikrit, ata kanë për detyrim edhe të mbrojnë këto mexhlise me krahët e tyre ashtu si e potencon hadithi. Pastaj qëndrimi i tyre në këtë mexhlis për të bërë lutje, normalisht jo për veten e tyre, sepse engjëjt nuk bëjnë mëkate e as gabime sepse veprojnë vetëm ashtu si urdhërohen nga Allahu xh.sh., por për besimtarët në përgjithësi dhe për ata që gjenden në atë mexhlis në veçanti, është një privilegj dhe nder i veçantë që Allahu xh.sh. ia dhuroi vetëm qenies njeri. Po ashtu një çështje tjetër që na sinjalizon hadithi është edhe fakti se këta engjëj, ditën e gjykimit do të jenë dëshmitarë për besimtarët islam, dhe për dhikrin e tyre para Allahut xh.sh.

-III-



Nga hadithi vërehet se Allahu xh.sh. i pyet engjëjt për veprimet e besimtarëve islam në mexhliset e tyre. Pyetja që u parashtrohet engjëjve nga ana e Allahut xh.sh. nuk nënkupton se ato e informonin Allahun xh.sh. për gjëra të reja, sepse Allahu e dinte më mirë se ato, ngase ai është Dijetari Absolut edhe i sekreteve.

Urtësia e pyetjes së engjëjve nga Allahu xh.sh. shpalosë vlerën e qenies njeri ndaj engjëjve. Kjo njëkohësisht është edhe një argument bindës për melekët, të cilët lajmin nga Allahu xh.sh. për krijimin e njeriut në sipërfaqe të tokës dhe emërimin e tij mëkëmbës në te, e kishin pritur me një habi dhe dëshpërim, ngase ato mendonin se kjo krijesë do të bëjë çrregullime dhe gjakderdhje e nuk do të madhërojnë Allahun xh.sh, dhe se ato mendonin se mjafton falënderimi dhe madhëromi i tyre që i bëjnë Allahut xh.sh., andaj edhe këtë qëndrim të tyre e arsyetuan duke thënë: “A do të vësh në të atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” (El-Bekare, 30). Në këtë qëndrim të tyre Allahu xh.sh. iu përgjigje duke u thënë: “Unë di atë që ju nuk e dini!” (El Bekare, 30)

Pra, përgjigjja dhe sqarimi që Allahu xh.sh. ua dha melekëve në këtë rast është se ju e dini vetëm këtë që po e thoni, kurse Unë di edhe atë që ju nuk e dini. Pra ju vetëm dini se nga njerëzit do të ketë gjakderdhës dhe çrregullues, porse Unë di edhe atë se nga njerëzit do të ketë falënderues dhe lavdërues, dhe gjëra të tjera që ju nuk i dini, e për këtë do të bindeni më vonë. Andaj, kur Allahu xh.sh. i pyet Melekët për çështjet dhe veprimet e njerëzve, nuk i pyet që të informohet prej tyre, por që praktikisht t’ua tregojë urtësinë e krijimit të njeriut që engjëjt nuk e dinin në fillim kur deshi Allahu të krijojë njeriun.

E tani Melaiket të cilat fillimisht kishin shprehur dozë të dyshimit për vlefshmërinë e krijimit të njeriut, tani pikërisht ato do të jenë dëshmitarë për adhurimin, falënderimin dhe madhërimin që ia bënë njeriu Krijuesit të tij. Ato do të jenë dëshmitarë se besimtarët e devotshëm islam që pa ndërprerë adhurojnë, falënderojnë dhe madhërojnë Allahun xh.sh. janë më të lavdëruar dhe më të vlefshëm se Melekët. Gjykohet kështu ngase Melekët janë krijesa të cilat nuk posedojnë epshe dhe dëshira apo lirinë e zgjedhjes, ata veprojnë vetëm ashtu si urdhërohen për dallim nga njeriu i cili ka epsh, dëshirë, interese të ndryshme, posedon alternativën e zgjedhjes në veprim dhe mos veprim dhe jeton në botën e sprovimit.

Si i tillë njeriu ballafaqohet me sfida të ndryshme në jetën e kësaj bote, por nëse ia arrin q me bindje të triumfojë mbi epshet dhe dëshirat shtazarake e satanike duke iu nënshtruar, falënderuar dhe madhëruar Allahun xh.sh., atëherë pa dyshim arrin nivelin e qenieve më të dashura dhe më të mëshiruara te Allahu xh.sh.. E kjo thjeshtë vërtetohet përmes veprimeve të përditshme detyrimore dhe atyre alternative që vërtetojnë se besimtari islam tërësisht në çdo kohë dhe vend është në lidhje të ngushtë me Krijuesin e tij duke e falënderuar dhe lavdëruar.

-IV-



Në hadith përmendet mexhlisi ku përmendet Allahu xh.sh., mexhlise këto të vlerësuara te Allahu xh.sh., si mexhlise të begatshme, bereqetshme dhe të plleshme, andaj edhe Allahu xh.sh. i përforcon me engjëj këto mexhlise, dhe se fundi i këtyre mexhliseve përfundon me faljen e mëkateve të atyre që gjenden në këtë mexhlis. Kjo na jep të kuptojmë se mexhliset ku bëhet humbje e kohës, mexhliset dëfrime dhe ndalesa, mexhliset ku ka përgojime, nënçmime, fyerje, shpifje nuk janë mexhlise të besimtarëve islam. Besimtari kënaqet vetëm në ato mexhlise ku freskohet zemra dhe shpirti i tij, e ato janë mexhlise të dhikrit.

-V-



Nëse hadithin e kundrojmë nga aspekti akaidologjik, vërejmë se besimtari Islam të gjitha këto veprime që i bënë të ngritura mbi bazën e bindjes dhe besimit të shëndoshë ndaj Allahut xh.sh. dhe pa e parë Atë, beson në begatit e xhenetit edhe pse nuk i ka parë, beson në ndëshkimin e xhehenemit pa e parë. Angazhimi me veprime detyrimore të përditshme si namazi, apo vjetore si agjërimi dhe zeqati, apo jetësore si haxhi, si dhe largimi nga kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote, për t’u ulur, pushuar dhe kënaqur në mexhlisin e dhikrin, janë cilësi ekskluzive të besimtarëve të devotshëm dhe këtë mund ta përballojë vetëm ai i cili ka besim të pastër, stabil dhe të fuqishëm. Andaj edhe shpërblimi nga Allahu xh.sh. pikërisht për këtë është i madh.

-VI-



Gjithashtu nga hadithi nënkuptohet edhe një send që sipas islamit ka peshë të madhe e që është se mexhliset e dhikrit janë mexhlise të hapura për të gjithë, dhe në to nuk mund të pengohet askush që dëshiron të marrë pjesë në të. Këtë e vërteton pjesa e hadithit kur Allahu xh.sh. dëshmon para engjëjve se tani më i ka falur pjesëmarrësit e mexhlisit të dhikrit, dhe befas një nga Melekët sqaron një çështje se në këtë mexhlis ishte prezent edhe filani, i cili në këtë mexhlis gjendej për ndonjë interes tjetër e jo se ishte nga ata që bëjnë dhikr. Allahu xh. sh. i përgjigjet se anëtarët e këtij mexhlisi janë për adhurim, dhe ato mexhlise nuk mund t’i dëmtojë ndonjë anëtarë, përkundrazi edhe ai do të jetë pjesëmarrës i sevabeve të këtij mexhlisi. Kjo na jep të kuptojmë, se edhe të tillët që gjenden në këto mexhlise kanë besim dhe iman, porse zemrat e tyre në një moment mund të kenë rënë në gaflet, dhe përmes këtij mexhlisi freskohet edhe zemra e tyre me dëshirën e Allahut . Pra, nuk bëhet fjalë për pabesimtarët, sepse jobesimtari nuk mund të qëndrojë në këtë mexhlis, ashtu si në këtë meshlis nuk ka vend edhe aleati i tij i përhershëm që është djalli.

Në fund po e përfundoj me një hadith tjetër të transmetuar nga Enes r.a., nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë: Allahu xh.sh. botën tjetër i urdhëron Melekët duke u thënë: ”Nxirrni nga zjarri i xhehenemit ata që një ditë më përmenden Mua, dhe mu frikuan në një moment” Termidhiu.

Në fund, përfundojmë me mesazhin islam që besimtari islam të bëjë përpjeke maksimale që sa më shumë të përmendë Allahun xh.sh. në të gjitha kohët dhe vendet. O Zoti ynë, na bënë prej atyre që gjuhët e tyre të përmendin pa ndërprerë dhe na bënë prej atyre që zemrat e tyre janë gjithnjë të freskëta me dhikrin Tënd. Amin!
[b]

http://nektariivulosur.tk

View previous topic View next topic Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Forumotion.com | © PunBB | Free forum support | Contact | Report an abuse | Free forum