Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Komentimi i Kaptinës - "Ed-Duha"

View previous topic View next topic Go down  Message [Page 1 of 1]

1 Komentimi i Kaptinës - "Ed-Duha" on Sun Oct 11, 2009 12:39 am

QeNdRiM


.
.
ب
ِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيم



Komentimi i Kaptinës - "Ed-Duha"



1. Pasha paraditën!

2. dhe natën që shtrin errësirën!

3. Zoti yt as nuk të ka lënë, e as nuk të ka përbuzur.

4. Dhe (dije) se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.

5. e Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh.

6. A nuk të gjeti jetim, e të dhuroi strehim (kujdesje).

7. të gjeti të paudhëzuar, e të udhëzoi.

8. të gjeti të varfër, e të begatoi (pasuroi).

9. Pra, mos e përçmo (poshtëro) jetimin!

10. as lypësin mos e përzër!

11. e për të mirat që t’i dha Zoti yt, trego!


Kaptina “Ed-Duha” është kaptinë mekase, e zbritur pas kaptinës “El-Fexhr”. Ka gjithsej 11 ajete.

Kaptinën të tërën e përshkon një frymë ledhatuese, e mëshirëshme, e afërt dhe e ngrohtë ndaj Pejgamberit a.s.. Është një zgjatje e dorës së mëshirës e cila qetëson dhembjen dhe dëshpërimin. Është një prehje dhe shpresë që qetëson shpirtin e trazuar të Pejgamberit a.s.[1]

Emërtimi i kësaj kaptine

Kjo kaptinë e ka marrë emrin nga ajeti hyrës i saj: “Ved-Duha - Pasha paraditën!”, në të cilin Allahu xh.sh. betohet, sepse kjo është ndër kohët më të rëndësishme për jetën dhe gjallërinë e njeriut.


Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Lejl”

Kaptina “El-Lejl” përfundoi me premtimin e Allahut se në Ahiret do të derdhte begatitë e Tij mbi të devotshmit, ndërsa në kaptinën “Ed-Duha”, ky premtim përsëritet rishtazi, tash për vetë Pejgamberin a.s.: “Ve lesevfe ju’tike rabbuke feterda” – “E Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh”

Pastaj në kaptinën “El-Lejl” ajeti 13 ku Allahu xh.sh. thotë: “Ve inne lena el ahiretu vel ula”- “Dhe vetëm Jona është bota tjetër si dhe kjo” është një ngjashmëri me ajetin 4 të kaptinës “Ed-Duha”: “Ve lel ahiretu hajrun leke minel ula”- “Dhe (dije) se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para”.

Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine

Në lidhje me shkakun e zbritjes së kësaj kaptine, kemi disa transmetime autentike, por këtu do t’i paraqesim vetëm ato më kryesoret:

1. Transmetohet nga Seid bin Mensuri dhe El-Ferjaniu nga Xhundubi: Xhibrili disa ditë nuk i erdhi me shpallje Muhammedit a.s., gjë që i shtyri idhujtarët mekas ta tallnin me fjalët se Zoti i tij e kishte harruar, e kishte lënë dhe e kishte përbuzur.[2]

2. Transmetojnë Buhariu e Muslimi dhe të tjerët nga Xhundubi, se Muhammedi a.s. u ankua nga shëndeti për dy-tri ditë dhe nuk mundi të ngrihej natën të falte namaz. Kjo e shtyri Umi Xhemilin, gruan e Ebu Lehebit që t’i thoshte me ironi: “O Muhamed! Kam shpresë se të la shejtani yt se po shoh që s’po të vjen-s’po të afrohet ka disa ditë…” Prandaj Allahu zbriti këtë kaptinë. [3]

3. Transmeton Ibn Xherir et Taberiu nga Abdullah bin Shedadi: Hatixheja r.a. iu drejtua të Dërguarit të Allahut me fjalët: “Ka disa ditë që Zoti yt sikur të ka lënë pas dore…”, prandaj zbriti kjo sure si përgjigje. Këto fjalë të përcjella nga Hatixheja r.a. janë të kategorisë “mursel”. Transmetuesit e këtij Isnadi janë të besueshëm.

Hafidh ibn Haxheri thotë: “Siç duket edhe Umi Xhemil edhe Hatixheja ia kishin thënë Resulullahut përafërsisht të njëjtat fjalë, por Umi Xhemil i kishte thënë ato si nënçmim e përbuzje, kurse Hatixheja r.a. nga dhemshuria, tek shihte të Dërguarin a.s. që vuante, për shkak se Shpallja i qe vonuar për disa ditë”.[4]

Në lidhje me shkakun e shpalljes së kësaj sureje ekzistojnë edhe disa transmetime të tjera, të cilat do t’i përmendim me rastin e komentimit të ajeteve të saj.


Koment:

وَالضُّحَى. وَاللَّيْلِ إِذَا سَجَى. مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَى

1. Pasha paraditën!

2. dhe natën që shtrin errësirën!

3. Zoti yt as nuk të ka lënë, e as nuk të ka përbuzur.


Allahu xh.sh. betohet në paraditën -“Duhanë”, koha që simbolizon pjesën e parë të ditës, pasi që dielli dukshëm të jetë ngritur në qiell. Qëllimi këtu mund të jetë për ditën, sepse në ajetin që pason, Allahu xh.sh. betohet edhe në natën, që është pjesë e kohës kur njeriu pushon me të gjitha gjymtyrët e tij, për të marrë forca dhe energji të mjaftueshme që prapë të nesërmen në mëngjes të gjallërojë, të punojë, të fitojë dhe të falënderojë Krijuesin e tij, për të gjitha mirësitë që i ka dhuruar.

Në Sheriatin islam, nga tradita e Pejgamberit a.s. ekziston falja e një namazi që është synet, e që quhet “Namazi i Duhasë”, të cilin Pejgamberi a.s. nuk e ka lënë kurrë pa e falur, ashtu siç nuk linte pa falur as namazin e natës “Salatul-Lejli” (Salatu-t- Tehexh-xhud)”. Namazin e “Duhasë” Pejgamberi a.s. e falte pasi kalonte një kohë e konsiderueshme prej lindjes së diellit.

Pastaj, në vazhdim vjen ajeti i tretë në të cilin hidhen poshtë fuqishëm talljet e idhujtarëve se kinse Zoti e kishte braktisur Muhammedin a.s.. Jo, kurrsesi, por dije, o Muhammed, se Zoti yt nuk të lë kurrë, nuk është hidhëruar në ty dhe as nuk të ka përbuzur, madje Allahu xh.sh. e vë në dijeni të Dërguarin e Vet se është dhe do të jetë në mbrojtje të tij sikur çdo herë që ishte në mbrojtje të të dërguarve të tjerë. Ai të ka në mbikëqyrje të vazhdueshme për të të mbrojtur nga çdo rrezik. E si të të mos mbrojë kur Ai ty ta besoi transmetimin e Mesazhit të Vet të fundit hyjnor drejtuar njerëzimit!

Është fakt se Allahu xh.sh. i pati përherë në mbikëqyrje të dërguarit e Vet, si p.sh. Musanë a.s. kur në shenjë të tij thotë: “E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time” (Ta-Ha, 39).

Pastaj i drejtohet edhe Muhammedit a.s. “Ti bëj durim për vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë dhe, kur të ngrihesh, madhëroje me falënderim Zotin tënd!” (Et-Tur, 48) [5]


وَلَلآخِرَةُ خَيْرٌ لَكَ مِنْ الأُولَى

4. Dhe (dije) se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.

Me këtë ajet, Muhammedit a.s. i bëhet e ditur se jetë e vërtetë është vetëm jeta e Ahiretit dhe se kjo botë kalimtare është shumë e shkurtër. Kjo botë do të shkatërrohet, meqenëse është vetëm një vendsprovim për njeriun. Në lidhje me këtë flasin shumë ajete kuranore, si:

“Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër veçse dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, pa dyshim është ajo e botës së ardhshme (Ahireti), sikur ta dinin”. (El-Ankebut, 64) ,

pastaj:

”Ju njerëz, dijeni se jeta e kësaj botë nuk është tjetër veçse një lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, mburrje mes jush dhe përpjekje për shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve…… pra, jeta e kësaj bote nuk është tjetër veçse përjetim mashtrues”. (El-Hadid, 20)

Transmetojnë imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe nga Abdullah ibn Mes’udi të ketë thënë: “Një ditë Resulullahu s.a.v.s ishte shtrirë për të fjetur mbi një hasër, dhe shihej qartë se hasra kishte lënë gjurmë në trupin e tij. Kur u zgjua, fillova t’ia fërkoja krahun e tij e i thashë: O i Dërguar i Allahut, pse nuk na lejove të paktën të të kishim shtruar diçka të butë mbi hasër? E ai m’u përgjigj:”Çfarë kam unë me këtë botë, shembulli im dhe shembulli i kësaj bote është sikur një udhëtar, i cili është ndalur të pushojë nën hijen e një peme, pastaj ngrihet dhe vazhdon udhën e tij”.[6]

Gjithashtu ky ajet jep shenjë të qartë se gjërat që do të pasonin, për Muhammedin a.s., do të ishin më të mira se ato të kaluarat, do të thotë, do të vinin ditë më të mira për të gjithë muslimanët. Ata, në një të ardhme të afërt do të bëheshin një bashkësi e fuqishme në Medinë, dhe pas 8 vjetësh do të hynin triumfalisht në Mekë, pa ndonjë rezistencë, me se do të vendoseshin drejtësia dhe pushteti i Allahut fillimisht në Hixhaz, e pastaj në tërë Gadishullin Arabik, njëherë e përgjithmonë. Madje për një kohë shumë të shkurtër, muslimanët do të kishin në zotërim mbi gjysmën e botës, ku njerëzit nuk do të ishin më robër të njerëzve dhe as të besëtytnive të kota, por njerëz të cilët me plot dinjitet do të përkuleshin vetëm para Krijuesit të tyre të vërtetë-Allahut xh.sh..

Dijetari bashkëkohor M.M. Sha’raviu, në lidhje me këtë ajet thotë se këtu është fjala për Vahjin, do të thotë ajetet që do të pasonin më tutje, do ta qetësonin Muhammedin a.s. dhe do t’i jepnin kurajo e guxim që të bëhej i pathyeshëm në misionin e tij, shumë më tepër se ajetet që i kishin zbritur deri atëherë.[7]

Në lidhje me këtë ajet kemi edhe shkakun e zbritjes, përse Taberaniu në “El Evsat” transmeton nga Ibni Abbasi të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “M’u paraqit gjendja e Ymetit tim pas meje dhe vendet që ata do t’i çlirojnë (nga kufri), dhe u kënaqa…” prandaj edhe zbriti ky ajet, i cili i bën me dije se ajo që po vinte, ishte më e shndritshme se ajo që kishte kaluar

وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَى

5. E Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh.


Mirësitë e Allahut ndaj Muhammedit a.s. ishin të panumërta, e zgjodhi atë për Pejgamber dhe e gradoi me gradën më të lartë “Vulë e Pejgamberisë”. I dhuroi atij Librin më të madh-Kur’anin famëlartë, udhëzim i qartë dhe dritë, e cila do t’i ndriçojë udhët e njerëzimit.

Mirësia më e madhe e dhuruar nga Allahu xh.sh. në këtë botë, është shpallja e fesë islame, e cila për një kohë të shkurtër do të pushtonte zemrat e njerëzve anekënd botës, jo me forcën e shpatës, por me forcën e argumentit e të bindjes shpirtërore. Kurse, mirësitë ndaj Muhammedit a.s. në Ahiret do të jenë: Shefati (ndërmjetësimi), kroi i Kevtherit, pozita e tij e lartë në krahasim me të dërguarit e tjerë (Mekami mahmud), etj. Prandaj, të gjitha këto mirësi të panumërta ndaj Muhammedit a.s. ishin argumente të pakontestueshme që të demantonin shpifjet e idhujtarëve se Zoti i tij e kishte lënë, braktisur apo ishte i hidhëruar ndaj tij. Jo, përkundrazi, kjo sure dhe këto ajete ishin një fuqizim shpirtëror dhe fizik për të, që ai të mos humbte kurrë shpresën në mëshirën e Allahut xh.sh..

Edhe me këtë ajet ndërlidhet një shkak i zbritjes, i ngjashëm me atë të mëparshmin, të cilin e transmetojnë Hakimi, Bejhekiu në “Ed-Delail”, si dhe Taberaniu e të tjerët nga Ibni Abbasi, i cili ka thënë: “Iu paraqit (ekspozua) të Dërguarit të Allahut se cilat vende do të ishin në duart e muslimanëve, fshat më fshat dhe iu kënaq zemra”, prandaj edhe zbriti ky ajet: “E Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh”.

Ibni Abbasi, në lidhje me këtë ajet, thotë: “Allahu i ka premtuar Muhammedit a.s. shumë mirësi në Ahiret, por padyshim ajo që synohet në këtë ajet dhe që do ta bëjë të kënaqur e të lumtur Pejgamberin a.s., është Shefati (ndërmjetësimi). Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Abdullah ibn Amr ibn Asi, se i Dërguari a.s. i lexoi fjalët e Allahut në lidhje me Ibrahimin a.s. kur ai i qe drejtuar Atij:

“Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron” (Ibrahim, 36)

dhe fjalët e Isait a.s.:

“Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër të Tu, e nëse ua fal atyre, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Urti” . (El- Maide, 118),

pastaj i ngriti duart dhe u lut: “O Zot, ma fal dhe ma shpëto Ymetin tim”, dhe filloi të qante. Atëherë Allahu xh. sh. urdhëroi Xhibrilin të shkonte e ta pyeste Muhammedin a.s. përse po qante, dhe thuaj atij: “Ne do të të kënaqim ty me Ymetin tënd dhe nuk do të të dëshpërojmë”.[8]

Pastaj, është edhe një transmetim tjetër sipas të cilit Muhammedi a.s. ka thënë: “Çdo pejgamber e ka pasur nga një lutje të cilën Allahu ia ka pranuar, dhe çdo pejgamber para meje është ngutur në lutjen e tij (në këtë botë), kurse Lutja ime ishte që të jem ndërmjetës (shpëtues) për Ymetin tim në ditën e Kiametit”.[9]

Ndërsa në “Tefsirul Xhelalejn” është shënuar edhe një hadith i ngjashëm me këtë që e transmeton Hatibi, se Pejgamberi a.s., pasi i pati zbritur ky ajet, ka thënë: “Nuk do të jem i kënaqur përderisa edhe një pjesëtar i vetëm i Ymetit tim të jetë në zjarr”.[10]

أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًا فَآوَى

6. A nuk të gjeti jetim, e të dhuroi strehim (kujdesje).


Janë tri ajete që do të pasojnë në vazhdim, pra ky ajet, pastaj i shtati dhe i teti, të cilët flasin për përkujdesjen e Allahut ndaj Muhammedit a.s. qysh nga lindja ose nga fëmijëria e hershme.

Jeta e Pejgamberit a.s. vërtet ishte një jetë plot dhimbje, plot vuajtje, sepse ai ende sa ishte në barkun e s’ëmës, mbeti pa baba, pastaj në moshën gjashtë vjeç i vdiq edhe e ëma, kështu që mbeti jetim pa të dy prindërit, pra mbeti gjithmonë i etshëm për dashurinë prindërore. Por, Krijuesi i kësaj ekzistence, Ai që i di të fshehtat dhe ato që shfaqen haptazi, me kohë kishte përgatitur zemrën dhe shpirtin e Muhammedit a.s. që të përballonte të gjitha këto vuajtje e sakrifica. Ishte mëshira e madhe e Allahut xh.sh. që kishte mbushur zemrën e tij qysh nga fëmijëria, përderisa nuk erdhi momenti që në moshën 40 vjeç, kjo mëshirë e dashuri të merrte emërtimin e vërtetë: “Pejgamber i Allahut dhe i zgjedhuri i Tij”.

Muhammedi a.s. u rrit si jetim së pari në shtëpinë e gjyshit Abdul Mutalib, i cili e donte pa masë, meqenëse babanë e tij Abdullahun, e kishte dashur më shumë se të gjithë djemtë e tjerë, dhe ndiente një dhimbje të madhe tek shihte Muhammedin e vogël që po rritej si jetim, dhe thuhet se lotët gjithnjë i ravijëzoheshin nëpër faqet e tij të rrudhura nga pleqëria. Ai madje e ulte Muhammedin gjithnjë pranë vetes, nën hijen e Qabesë, një vend i rezervuar vetëm për parinë mekase.

Pas dy vjet përkujdesjeje në shtëpinë e gjyshit, i vdiq edhe ai, kështu që në moshën 8 vjeç, përkujdesjen e Muhammedit a.s. e mori axha i tij, Ebu Talibi, i cili i ofroi tërë dashurinë dhe kujdesin e duhur.

Por, mbi të gjitha këto, Muhammedi a.s. ishte nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të Allahut xh.sh., të cilën ai shpeshherë e kishte hetuar po jo edhe kuptuar, derisa nuk i zbriti Shpallja, në moshën dyzet vjeç.

I Dërguari a.s. me një rast ka thënë: “Zoti im më edukoi dhe më përsosi edukatën time”.

Me këtë ajet Allahu dëshiroi ta qetësonte edhe një herë të Dërguarin e Vet, dhe sikur i thotë: Mos ua vë veshin fjalëve të idhujtarëve, që thonë se Zoti yt të ka braktisur. Jo! Ne nuk të braktisëm as atëherë kur mbete jetim, pa prindër, pa gjyshin dhe pa xhaxhain, e si të të braktisim tash kur ta kemi besuar Mesazhin dhe Fjalën tonë të Shenjtë.

وَوَجَدَكَ ضَالا فَهَدَى

7. Të gjeti të paudhëzuar, e të udhëzoi.


Edhe ky ajet vazhdon me atë ton dashamirës, nga i cili shihet dhemshuria dhe përkujdesja e Allahut ndaj të Dërguarit të Vet. “A nuk ishe ti, o Muhammed, i paudhëzuar për njohjen besimit në Zotin tënd, derisa Ai nuk të drejtoi e të udhëzoi, e ti gjete të vërtetën, dhe njohe madhështinë e Krijuesit?!”

Ky ajet nuk ka të bëjë me mundësinë që Pejgamberi a.s. të ketë qenë i humbur në dalalet-mosbesim, sepse pejgamberët e Allahut janë të mbrojtur nga një gjë e tillë, por këtu qëllimi është se ai ishe i paudhëzuar në njohjen e çështjeve të fesë e të Librit që iu shpall, siç thotë edhe Allahu xh.sh.: “Po kështu me urdhrin Tonë, Ne të shpallëm ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur ç’është Libri (Kur’ani) as ç’është besimi (imani), por Ne e bëmë atë dritë me të cilën atë që dëshirojmë prej robërve Tanë e vëmë në rrugë të drejtë…” (Esh-Shura, 52).

Ndërsa në “Tefsirul Xhelalejn” është shënuar: “Allahu të gjeti të paudhëzuar me parimet dhe ligjet e Sheriatit, dhe të udhëzoi”[11]


وَوَجَدَكَ عَائِلا فَأَغْنَى

8. Të gjeti të varfër, e të begatoi (pasuroi).


Meqenëse u rrit si jetim, ishte e natyrshme që Muhammedi a.s. ta kishte të vështirë edhe jetesën, sepse nuk kishte as vëllezër që ta përkrahnin e ta ndihmonin, megjithë kujdesin e vazhdueshëm ndaj tij të Ebu Talibit, i cili nuk kishte pasuri të mjaftueshme madje as për vete dhe familjen e tij. Por, deshi Allahu xh.sh. që i Dërguari i Tij, të cilësohej si njeri besnik e të shquhej për ndershmëri edhe para pejgamberisë, dhe të kishte prirje edhe në punët e tregtisë që e shtyri Hatixhen r.a. që t’ia besonte atij punët e tregtisë. Këtë besim ai e arsyetoi plotësisht qysh në udhëtimin e tij të parë në Sham.

Dhe, pas një kohe, i Dërguari i Allahut u martua me Hatixhenë e pasuria e tyre qe bërë mjaft e madhe, saqë Muhammedi a.s. kishte mundësi t’i ndihmonte axhës së tij Ebu Talibit për përkujdesjen e fëmijëve të tij. Nga biografia e ndritshme e Pejgamberit a.s. mësojmë se ai e mori në përkujdesje Aliun r.a., kurse axha i tij Abbasi, mori Akilin, që të dy këta, djem të Ebu Talibit.

Në lidhje me këto tri ajete të kësaj kaptine: “A nuk të gjeti jetim, e të dhuroi strehim (kujdesje). Të gjeti të paudhëzuar, e të udhëzoi. Të gjeti të varfër, e të begatoi (pasuroi).” , Ibn Xherir et-Taberiu dhe Ibni Ebi Hatimi transmetojnë nga Katadeja të ketë thënë: “Këto ishin tri gjendjet e Resulullahut para se t’i vinte Shpallja”[12], që do të thotë se Muhammedi a.s. ishte jetim, por Allahu e strehoi; ishte i paudhëzuar në çështjet e Sheriatit dhe të njohjes së Allahut xh.sh., por Ai e përudhi; ishte i varfër, por Allahu i dhuroi pasuri.

Ebu Hurejra transmeton një hadith nga Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: “Nuk është pasuri vetëm të kesh shumë mall, por pasuri e vërtetë është pasuria e shpirtit”.[13]

Po ashtu, i Dërguari i Allahut xh.sh. në një hadith tjetër ka thënë: “Ka shpëtuar ai që ka besuar, që ka furnizim (rrizk) të mjaftueshëm dhe është i kënaqur me atë që i ka dhënë Allahu (nga pasuria, qoftë edhe fare pak).”[14]


فَأَمَّا الْيَتِيمَ فَلا تَقْهَرْ

9. Pra, mos e përçmo (poshtëro) jetimin!


Në këto ajete të fundit gjejmë shenja të edukatës hyjnore ndaj të Dërguarit a.s., se si të sillej me disa kategori njerëzish. Së pari e urdhëron që ndaj jetimit të jetë i butë e i mëshirshëm, meqenëse edhe ai vetë kishte pasur fatin që të rritej si jetim. Morali i lartë islam shkon edhe më tutje, kur përkujdesjen ndaj jetimit e vë në një shkallë aq të lartë, saqë Pejgamberi a.s. thotë: “Unë dhe kujdestari i jetimit jemi afër sikur gishti tregues dhe ai i mesmi”.

Pastaj, në një hadith tjetër Muhammedi a.s. thotë: “Edhe përkëdhelja e flokëve të jetimit konsiderohet sadakë”.

Transmeton Ebu Hurejra se një njeri kishte ardhur tek Pejgamberi a.s. dhe i qe ankuar se zemrën e kishte tepër të ashpër, dhe me këtë rast i Dërguari a.s. e porositi: “Nëse do që ajo (zemra) të të zbutet, përkëdheli kokën jetimit (nga dhemshuria) dhe ushqeje të varfrin (skamnorin)”.



وَأَمَّا السَّائِلَ فَلا تَنْهَرْْ

10. As lypësin mos e përzër!


Këshilla e dytë ka të bëjë me lypësin (skamnorin, ose të varfrin që ka nevojë për ushqim a diçka tjetër): “As lypësin mos e përzër!”

Besimtari i drejtë duhet të ketë kujdes që në çdo rast t’u shmanget fjalëve të ashpra, që të mos e dëbojë askënd me fjalë të këqija, e sidomos lypësin, që ka nevojë, qoftë për ushqim, qoftë për dije dhe të kërkon ndihmë. Madje edhe vetë Pejgamberi a.s. porosit besimtarët: “Askush të mos e përzërë lypësin që të kërkon diçka, por jepini atij, madje edhe nëse në duart e tij shihni byzylykë ari”[15]



وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ

11. E për të mirat që t’i dha Zoti yt, trego!


Ky ajet është një urdhër i qartë për Muhammedin a.s. që të tregojë haptazi për të mirat e Zotit që i dhuroi; Ishte jetim, por Allahu e strehoi dhe e mori nën përkujdesje; Ishte i varfër dhe Allahu e bëri të pasur në shpirt dhe me pasuri të kësaj bote; E gradoi me titullin “Pejgamber”, i shpalli Kur’anin, udhëzim të qartë për të dhe për mbarë Ymetin e tij. E dërgoi pejgamber për mbarë njerëzit dhe për exhinët; e ngriti lart emrin e tij kur e bashkoi atë me emrin e Vet hyjnor në dëshminë “La ilahe il-la llah Muhammedun resululull-llah”- “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i dërguari i Allahut”, e cila është shtylla e parë e Islamit, dhe çelës për të hyrë në Islam.

Pra, në këtë ajet, Pejgamberi a.s. porositet që për të gjitha këto mirësi, të mos hezitojë, por t’i proklamojë ato haptazi, ta madhërojë Allahun xh.sh. dhe të jetë mirënjohës ndaj Tij.



Aspekte metaforike të kësaj kaptine

Komentatorët e Kur’anit, kur flasin për aspektin metaforik të kësaj kaptine, bëjnë një krahasim mjaft interesant kur thonë se kundruall tri ajeteve, qëndrojnë këshillat në tri ajetet pasuese:

“A nuk të gjeti jetim, e të dhuroi strehim (kujdesje)”. – pas të cilit pason këshilla: “Pra, mos e përçmo (poshtëro) jetimin!”

Pastaj. “Të gjeti të varfër, e të begatoi (pasuroi)”- pas të cilit pason këshilla: “As lypësin mos e përzër!”

Dhe “Të gjeti të paudhëzuar, e të udhëzoi” – pas të cilit pason këshilla: “E për të mirat që t’i dha Zoti yt, trego!”

Këto këshilla drejtuar Muhammedit a.s. në të njëjtën kohë na janë drejtuar edhe neve, që të sillemi mirë ndaj jetimëve, të varfërve dhe skamnorëve dhe t’u japim nga ajo pasuri që neve na ka dhënë Allahu xh.sh.

Alusiu në lidhje me këto ajete këshilluese thotë: “Allahu xh.sh. e këshillon të Dërguarin e Vet duke i thënë se ke qenë jetim dhe i humbur dhe Allahu të strehoi, të udhëzoi e të bëri të pasur, prandaj mos i harro këto mirësi të Allahut ndaj teje. Sillu mirë me jetimin, mëshiroje të varfrin sepse vetë ti e ke përjetuar idhësinë e jetimërisë dhe të varfërisë, dhe udhëzoi njerëzit në rrugën e drejtë ashtu siç të udhëzoi ty Zoti yt.”[16]



Porosia e kësaj sureje

- Kjo botë është kalimtare, kurse Ahireti është bota e përhershme. Njeriu duhet të ketë kujdes që të mos mashtrohet me dunjanë e të mos mendojë për Ahiretin.

- Është e e pëlqyeshme që vazhdimisht të përkujtojmë të mirat e Allahut ndaj nesh, dhe ta falënderojmë Atë.

- Kjo sure dëshmon fuqishëm për pozitën dhe nderin e madh që i është dhënë Pejgamberit tonë Muhammedit a.s.

- Sjelljet tona duhet t’i përputhim me etikën e Kur’anit, në radhë të parë ndaj Krijuesit e pastaj ndaj kategorive të ndryshme të njerëzve , të cilët kanë nevojë për zgjatjen e dorës së ndihmës dhe të mëshirës siç janë jetimët, skamnorët e të varfërit

- Transmetohet nga Imam Shafiu të ketë thënë: “Është synet të merret tekbir në fund të kësaj kaptine dhe pastaj në çdo sure që pason pas saj deri në fund të Kur’anit, sepse pasi që për një kohë kishte pasuar një ndërprerje e Vahjit-Shpalljes, dhe zbriti kjo sure, Pejgamberi a.s. u gëzua aq shumë, saqë nga gëzimi dhe mallëngjimi tha “Allahu ekber”.

Megjithatë duhet ditur se ky tekbir nuk është pjesë e Kur’anit, por dijetarët kanë thënë se ai që e këndon këtë tekbir, ka sevap tek Allahu xh.sh., ndërsa ai që nuk e këndon, nuk konsiderohet mëkatar.

---------------------------------------------

http://nektariivulosur.tk

View previous topic View next topic Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Private forum on Forumotion | © PunBB | Free forum support | Contact | Report an abuse | Forumotion