Nektari Islam
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Rruga e Xhenetit

Go down  Message [Page 1 of 1]

1Rruga e Xhenetit Empty Rruga e Xhenetit Fri Oct 09, 2009 11:58 pm

nDeRiM

nDeRiM
.
.

Shkruar nga Bledar Haxhiu
Posted in Hadith - Hadith
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga Xhabir bin Abdullah Ensariu -radijallahu anhu-, transmetohet se një njeri e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Si mendon, nëse fal vetëm namazet e caktuara, e agjëroj ramazanin, e veproj atë që është hallall (e lejuar) dhe largohem nga ajo që është haram (e ndaluar) dhe nuk bëj më shumë se kaq, a do të hyjë në Xhenet?

Po, - iu përgjigj Profeti.



Transmetuesi i hadithit

Transmetuesi i Hadithit është sahabi i nderuar Xhabir bin Abdullah bin Amri bin Haram, Khazrexhi el-Ensarij, i cili është po ashtu bir sahabi. Ka marrë pjesë në 19-të beteja, është nga të parët dhe nga fukahatë, si dhe nga ata që kanë transmetuar më së shumti hadithe nga Profeti (salallahu alejhi ue selem). Thuhet se ka transmetuar nga Profeti 1540 hadithe. Ka vdekur në Medine në vitin 73 h.





Muslimi -Allahu e mëshiroftë!-, këtë hadith e ka nxjerrë dhe nga Amesh nga Ebi Salih dhe Ebi Sufjan nga Xhabir: “O i Dërguar i Allahut, nëse fal farzet, ndalohem nga harami dhe e lejoj hallallin dhe nuk shtoj mbi këto asgjë tjetër a hyj në Xhenet? Profeti (salallahu alejhi ue selem), tha: Po.”



Vlera e hadithit

Ky është një hadith me vlerë të madhe, sepse në të përfshihet feja islame, sepse veprat janë ose punë të zemrës, ose punë të gjymtyrëve dhe çdonjëra prej tyre është o e lejuar (hallall), o e ndaluar (haram). Kështu që, nëse njeriu kryen hallallin dhe largohet nga harami, atëherë ai i ka kryer të gjitha funksionet e fesë dhe do të hyjë në Xhenet i qetë e me paqe.



Pra, ky hadith është argument se kush i vepron detyrimet dhe largohet nga të ndaluarat do të hyjë në Xhenet. Hadithe të ngjashme me hadithin tonë janë të shumta saqë ato kanë arritur gradën muteuatir.



Nga këto hadithe mund të veçojmë hadithin që e transmeton Ebu Hurejre se një beduin erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem), dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Më mëso ndonjë vepër e cila, nëse do t'i përmbahem, do të më dërgojë në Xhenet." I Dërguari tha: "Nënshtroju Allahut dhe mos i shoqëro Atij askënd në adhurim, kryeje namazin në rregull, jepe zekatin e obliguar dhe agjëro ramazanin." Pasi dëgjoi këto beduini tha: "Pasha Atë i cili të ka dërguar me të vërtetën, as nuk do të shtoj gjë nga këto që më the e as nuk do të pakësoj." Kur ai u largua, Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: "Kush dëshiron ta shikojë një njeri nga banorët e Xhenetit le ta shikojë këtë njeri.”



Në lidhje me këtë kuptim është edhe flala e Allahut ku thotë:



﴿إِن تَجْتَنِبُواْ كَبَآئِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلاً كَرِيماً﴾



“Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” En Nisa, 31.



Në hadithin tonë, nuk është përmendur zekati dhe haxhi, sepse zekati është obligim vetëm për ata që kanë aq pasuri sa arrin nisabi i zekatit, po ashtu nuk e ka përmendur haxhin, sepse edhe ai është i varur nga mundësia, ndërsa falja e namazit, agjërimi i ramazanit dhe veprimi i hallallit e largimi nga harami, janë detyrë për çdo kënd dhe nuk bien në asnjë mënyrë.



Por, disa dijetarë të tjerë kanë thënë se ky hadith ka ardhur në rrugë dhe shprehje të ndryshme dhe ndoshta origjina e këtij hadithi është se një burrë erdhi tek Profeti (sallallahu alejhi ue selem) dhe i tha: "I dërguari yt pretendon se ti je i Dërguar i Allahut. A është e vërtetë se Allahu të ka dërguar?" Profeti i tha: "Po." Arabi përsëri i tha: "I dërguari yt pretendon se Allahu na ka obliguar pesë namaze. A është e vërtetë një gjë e tillë?" E kështu me radhë i përmend shtyllat e Islamit. Në fund ky arab i thotë: "Pasha Atë i cili të ka dërguar me të vërtetën, as nuk do të shtoj gjë nga këto që më the e as nuk do të pakësoj."



Disa dijetarë e kanë komentuar lejimin e hallallit me besimin e tij se është hallall edhe nëse ai nuk kryhet, -sepse gjërat të cilat janë hallall janë të shumta dhe është e pa mundur që njeriu t'i kryejë të gjitha ato-, dhe largimin prej haramit, me besimin se ai është haram duke e shoqëruar me largimin prej tij.



Allahu i madhëruar thotë:



﴿الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَتْلُونَهُ حَقَّ تِلاوَتِهِ أُولَئِكَ يُؤْمِنُونَ بِهِ﴾



“Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të.” El Bekare, 121.



Disa nga të parët tanë të mirë, në mesin e të cilëve janë dhe Ibnu Abasi e Ibnu Mes’udi kanë thënë në lidhje me këtë ajet: “Ata i përmbahen me konsekuencë Kuranit dhe nuk i tejkalojnë ato që i lejon apo ndalon ai dhe kurrë nuk e ndryshojnë kuptimin e të lejuarës dhe të ndaluarës.”



Allahu i madhëruar në një ajet thotë:



﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تُحَرِّمُوا طَيِّبَاتِ مَا أَحَلَّ اللهُ لَكُمْ وَلا تَعْتَدُوا إِنَّ اللهَ لا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ وَكُلُوا مِمَّا رَزَقَكُمُ اللهُ حَلالاً طَيِّباً﴾



“O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin. Hani nga ato gjëra të lejuara e të mira që ju ka dhënë Allahu!” El Maide, 87-88.



Ky ajet ka zbritur si shkak i disa njerëzve të cilët e ndaluan ngrënien e disa të mirave në shenjë asketizmi (modestie) dhe largimi nga dynjaja. Madje disa të tjerë ia ndaluan këto gjëra vetes duke u betuar se nuk do t'i konsumojnë ato, ose se nuk do t'i përdorin. E gjitha kjo nuk e bënë detyrë që këto të mira të jenë të ndaluara. Disa të tjerë ia ndaluan këto vetes pa u betuar por vetëm që të frenojnë egon e tyre dhe pengimin e saj prej epsheve të veta.



Ndërsa hadithi në fjalë është i qartë se ai i cili i kryen obligimet fetare dhe largohet nga ndalesat do të hyjë në Xhenet. Buhari dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Ejub El Ensariu se një person e kishte pyetur Profetin (salallahu alejhi ue selem): "Më trego një vepër e cila do të më dërgojë në Xhenet" I Dërguari i tha: “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj Atij shok asgjë, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe ruaji lidhjet farefisnore.”



Qëllimi i këtij beduini ka qenë se namazeve, zekatit dhe agjërimit të obliguar nuk do t;u shoqërojë asgjë tjetër prej nafileve apo suneteve të përcaktuara dhe kjo nuk ka për qëllim se ai nuk do të kryej asnjë lloj obligimi tjetër përveç atyre që Profeti i lajmëroi.



Hadithet në fjalë nuk përmendin largimin nga gjërat e ndaluara, sepse pyetësi ka pyetur për veprat të cilat nëse do t'i bëjë do ta shpien në Xhenet.



Ebi Umamete -radijallahu anhu- transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) në haxhin e lamtumirës tha: “O njerëz! Adhurojeni Allahun, falni namazet ditore, agjërojeni muajin e ramazanit, jepni zekatin e pasurisë, binduni të parëve tuaj dhe do të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj.”



Pra, këto vepra janë kusht për hyrjen në Xhenet dhe nga ana tjetër kjo do të thotë se kryerja e veprave të këqija mund të jetë pengesë për një gjë të tillë.



Kush shikon me vëmendje në hadithet e Profetit (salallahu alejhi ue selem), gjen se Profeti e ka kushtëzuar hyrjen në Xhenet duke e shoqëruar me një sërë veprash të mira dhe një gjë e tillë është e vërtetë (hak).



Nëse personi është njësues dhe vepron ndonjë vepër me të cilën Profeti ka kushtëzuar hyrjen në Xhenet, nuk diskutohet se Ai njeri do të hyjë në Xhenet.



Por, këtu duhet të kuptojmë një çështje të rëndësishme, se hyrja në Xhenet në tekstet profetike kuptohet në dy mënyra:



Herë ato kanë qëllim hyrje fillestare. Kjo ndodh atëherë kur Allahu e fut njeriun përnjëherë në Xhenet, pa asnjë lloj dënimi apo mundimi, dhe duke ia falur mëkatet nëse ka vepruar vepra nga të cilat personat janë të kërcënuar me dënim.



Herë kanë për qëllim hyrje përfundimtare. Kjo është garanci se ai do ta ketë përfundimin në Xhenet, edhe nëse mund t'i ndodhë ndonjë dënim apo mundim, si hadithi i Profetit të cilin e transmeton Ebu Dherri –radijallahu anhu- se ai ka thënë: “Nëse njeriu dëshmon sinqerisht se s’ka Zot tjetër me të drejtë veç Allahut dhe deri në vdekje është i vendosur në këtë, do të hyjë në Xhenet”. Unë e pyeta: ‘Edhe nëse ka bërë imoralitet dhe ka vjedhur?’ Këtë e përsëriti tri herë, e edhe unë po ashtu. Atëherë ai në të katërtën tha: “Kështu do të jetë edhe nëse kjo nuk i pëlqen Ebu Dherrit!”



E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndalimin e hyrjes në Xhenet se tekstet profetike kanë për qëllim mohimin parësor, ose mohimin përfundimtar.



Ata që nuk do të hyjnë fillimisht janë të gjithë njësuesit të cilët kanë bërë gjynahe të mëdha dhe të cilët do të pastrohen e më pas do të hyjnë në të përgjithmonë. Lidhur me këtë dëshmon dhe thënia e Profetit: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili ka ndërprerë lidhjet farefisnore.”



Apo hadithi: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zëmër ka qoftë edhe sa një grimcë mendjemadhësie.”



Ndërsa atyre të cilëve u mohohet hyrja përfundimtare, pra ata të cilët nuk do të hynë në të kurrë, janë jobesimtarët, të cilët do të jenë në zjarr të xhehenemit përgjithmonë. Për këtë dëshmon dhe fjala e Allahut ku thotë:



﴿إِنَّ الَّذِينَ كَذَّبُواْ بِآيَاتِنَا وَاسْتَكْبَرُواْ عَنْهَا لاَ تُفَتَّحُ لَهُمْ أَبْوَابُ السَّمَاء وَلاَ يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ حَتَّى يَلِجَ الْجَمَلُ فِي سَمِّ الْخِيَاطِ وَكَذَلِكَ نَجْزِي الْمُجْرِمِينَ﴾



“Vërtet, për ata që përgënjeshtrojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet) duke u sjellë ndaj tyre me vrazhdësi e fyerje, nuk do të hapen portat e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet, derisa të hyjë deveja në vrimë të gjilpërës. Kështu i shpërblejmë Ne kriminelët (mosbesimtarët).” El-Araf, 40.



E gjithë kjo që përmendëm, është një rregull bazë i Ehli Sunetit, në lidhje me kuptimin e teksteve në të cilat gjendet premtim apo kërcënim.



Është e vërtetë se hadithi garanton se ai i cili i kryen farzet do të hyjë në Xhenet, porse kjo nuk duhet t'i bëjë ata të cilët kanë qëllime të larta që t'i anashkalojnë synetet e nafilet, sepse ai i cili i ka lënë ato nuk ka dyshim se i ka humbur një mirësi e madhe. Po ashtu nafilet janë plotësim për mangësitë që gjenden tek farzet, ato janë shkak që njeriu të afrohet sa më shumë tek Allahu i Lartësuar dhe të arrijë e të bëhet prej të dashurve të Tij.



Mësimet dhe dobitë që nxirren nga ky hadith



1. Njerëzit nuk janë të njëjtë në besim. Prej tyre ka që përpiqen të arrijnë piedestalin e punëve të mira dhe prej tyre ka që janë nën këta në gradë. Kështu ka raste që vijnë njerëz dhe e pyesin Profetin për veprat më të mira dhe ka raste të tjera ku ata e pyesin vetëm për atë që mjafton t'i fusë në Xhenet. Kjo edhe njëherë tjetër është nga besimi i Ehli Sunetit se besimi nuk është i njëjtë tek të gjithë njerëzit dhe se ai ulet dhe ngrihet.



2. Nxënësi i dijes duhet të jetë i vëmendshëm kur profesorit të tij i drejtohen pyetje, sepse ai patjetër që do të gjejë në të përfitime edhe nëse e di gjykimin rreth saj.



3. Lejohet që njeriu të kryej vetëm farzet, porse pozita më e lartë dhe arritja e gradave në Xhenet është që njeriu t'i bashkangjisë atyre edhe nafilet.



4. Ky hadith tregon për vlerën e farzeve dhe se kush i përmbahet atyre do të hyjë në Xhenet me mëshirën e Allahut.



5. Duhet për dijetarët dhe thirrësit që të shohin gjendjen e njerëzve, të mos i vendosin ata përpara përgjegjësive të njëjta, porse të shohin se cila u përshtatet çdonjërit. Ndaj gjejmë në hadithin tonë se Profeti nuk e qorton pyetësin dhe as e përçmon, përkundrazi ai miraton për të atë që i përshtatet.



6. Prej shenjave të dijes dhe mençurisë është që dijetari dhe thirrësi duhet t'i bëjë njerëzit të mos i humbin shpresat nga mëshira e Allahut.



7. Në këtë hadith del në pah lehtësia që ka kjo fe kaq e madhe dhe se ajo nuk kërkon nga njerëzit stërmundime dhe murgëri, porse ajo kënaqet që njerëzit të kryejnë veprat e detyruara, të besojnë hallallin dhe të largohen nga harami.



8. Hadithi është argument për medhhebin e Ehli Sunetit se veprat janë prej besimit.



9. Thënia e pyetësit: “dhe nuk shtoj mbi këto asgjë tjetër” ka qenë se namazeve, zeqatit dhe agjërimit të obliguar nuk do t'u shoqërojë asgjë tjetër prej nafileve apo suneteve të përcaktuara dhe kjo nuk ka për qëllim se ai nuk do të kryejë asnjë lloj obligimi tjetër përveç atyre që Profeti i lajmëroi.



10. Hadithi tregon për lejimin e hallallit, e veproi atë apo jo. Po ashtu ai tregon për ndalimin e haramit si dhe shmangien dhe largimit prej tij.



11. Fryti i punëve të mira e të urdhëruara është Xheneti.



12. Pyetjet janë një formë dhe mënyrë për të përfituar dijen.


http://www.burimijetes.com/

Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Free forum | ©phpBB | Free forum support | Report an abuse | Forumotion.com