Qendrim Husaj , Nderim Haxhiaj


You are not connected. Please login or register

Komenti i Sures Nur

View previous topic View next topic Go down  Message [Page 1 of 1]

1 Komenti i Sures Nur on Tue Sep 29, 2009 11:34 am

nDeRiM


.
.
Kjo sure përbëhet nga gjashtëdhjetë e katër ajete. Të gjithë ajetet e kësaj surje flasin mbi etika dhe norma sociale, duke u fokusuar tek ato brenda familjes. Surja Nur, është një sure me tematikë sociale dhe përqendrohet kryesisht në çështje që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe familjen.

Kjo sure, iu shpall Profetit a.s në kohën kur e shoqja e tij Aisheja, ishte akuzuar për tradhëti bashkëshortore. Disa nga hipokritët e Medines, kishin përhapur fjalë dhe e kishin akuzuar Aishen padrejtësisht, për tradhëti bashkëshortore me një nga shokët e Profetit a.s.

Gjatë kthimit nga një betejë, Aisheja ishte shkëputur nga karvani për nevojat personale dhe kur u kthye, pa që karvani ishte nisur për udhëtim. Ajo u ul në vendin ku kishte qenë më parë karvani, me shpresë se do e vënë re mungesën e saj dhe do të kthehen t\'a marrin. Profeti a.s kishte caktuar një nga muslimanët që të udhëtojë pas ushtrisë. Kur arriti tek vendi ku kishte pushuar ushtria, ai gjeti gruan e Profetit a.s Aishen. Pa i folur fare, ai uli devenë me qëllim që të hypë Aisheja.

Tregon Aisheja:"Për Zotin ai as nuk më ka folur gjatë gjithë rrugës deri në Medine."

Këtë ndodhi e shfrytëzuan hipokritët, dashakeqët e muslimanëve dhe filluan të shpifin dhe hedhin akuza mbi nderin e Aishes. Nga këto akuza dhe fjalë që u përhapën, ranë pre edhe disa muslimanë, të cilët e besuan. Vetë rrethanat mbi të cilat u bazua kjo shpifje, ishin ndihmuese. Thënia "s\'ka tym pa zjarr" gjeti shesh në një ndodhi të tillë. Në fakt, ashtu siç edhe u provua më pas, ekziston tymi pa zjarr. Një muaj rrjesht vazhduan akuzat, shpifjet dhe fjalët lart e poshtë. Një muaj rrjesht, Profetit a.s nuk po i shfaqej as vetë Xhibrili a.s. Profeti a.s u gjend shumë ngushtë nga këto akuza. I gjendur ngushtë ishte edhe vetë Ebu Bekri, babai i Aishes. Të sikletosur dhe të mërzitur ishin të gjithë njerëzit e afërt të Profetit a.s dhe të gjithë muslimanët e Medines. Njerëzit ishin ndarë të tre grupe: Shpifësit dhe ata që i besuan këto shpifje, njerëz që nuk dinin ç\'të vepronin dhe të tjerë që nuk i besonin këto akuza. Kjo gjendje vazhdoi për një muaj rrjesht.

Ky ishte një mësim shumë i rëndësishëm për çdo shoqëri muslimane që do të vinte më pas. Si duhet të reagojnë muslimanët dhe besimtarët e vërtetë, nëse mes tyre përhapen shpifje dhe akuza të tilla? Çfarë duhet bërë kur një pjesë e shoqërisë akuzon një tjetër?

Për rrethana të tilla, Zoti i madhëruar ka shpallur suren Nur.

Ajeti i parë që iu shpall Profetit a.s dhe që vërtetonte pafajësinë e Aishes është ajeti njëmbëdhjetë. Që nga ajeti i njëmbëdhjetë deri në ajetin njëzet e pesë, të gjithë ajetet flasin mbi pafajësinë e Aishes. Edhe pse këto ajete u shpallën për të hedhur poshtë akuzat kundër Aishes, ato janë të vlefshme për çdo kohë dhe vend.

"Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh." (Nur, 11)

"Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju." Kjo është një e mirë, pasi shoqëria do të nxjerrë mësim nga një ndodhi e tillë dhe do të dijë si të reagojë në raste të tjera.

Nga ata që e përgënjeshtronte lajmin dhe nuk e besonin ishte dhe Ebu Ejub El’ensarij me gruan e tij. Një ditë teksa ai qëndronte me gruan në shtëpi i tha:”O nëna e Ejubit, nëse do ishe në vendin e Aishes, a do të mund ta bëje, atë që thonë se e ka bërë ajo?”

“Jo për Zotin, nuk do të mund ta tradhëtoja të dërguarin e Zotit” –iu përgjigj ajo.

Ebu Ejubi i tha:” Aisheja është më e mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë këtë).”

Gruaja e tij e pyeti:”Po ti nëse do të ishe në vendin e Safvan ibnu Muatil, a do mund të mendoje keq për gruan e të dërguarit të Zotit?”

Ebu Ejubi i tha:”Jo për Zotin.” Ajo i tha:”Safvani është më i mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë diçka të tillë).”

Për këtë ndodhi, Profetit a.s iu shpall ajeti i mëposhtëm:

”Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin si pwr vete dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë?! ” (Nur, 12)

Ju o besimtarë duhet të mendoni më të mirën për vëllanë dhe motrën tuaj në fe, edhe pse hipokritët dhe dashakeqët akuzojnë dhe flasin lart e poshtë. Ti o besimtar nuk i përket shtresës së hipokritëve dhe dashakeqëve, prandaj duhet të distancohesh prej tyre dhe nga sjelljet e tyre.

"Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” (Nur, 13-16)

Këto ajete të drejtohen edhe ty o vëlla dhe oj motër dhe sikur të thonë: Ruaje gjuhën kur bëhet fjalë për nderin e tjetrit. Ruaje veten dhe përmbahu kur bëhet fjalë për nderin e një gruaje. Mos thuaj ajo është filania që ka vepruar dhe vepron... Mos mendo se diçka e tillë është e vogël.

"Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe."



Ruaje veten nga akuzat e drejtuara dikujt tjetër.

"Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë." (Nur, 17)

A e shikon o motër sa e rëndësishme je tek Allahu? A e shikon sa rëndësi ka emri dhe nderi yt? A e shikon se Allahu shpalli ajete që lexohen deri Ditën e Kijametit për të të mbrojtur ty dhe shoqërinë nga akuzat dhe shpifjet? Thënia që nuk ka tym pa zjarr, është e gabuar dhe ajo që i ndodhi Aishes është argumenti më i mirë.



Ajetet e para të sures Nur.

Që nga ajetet e para të sures, kuptohet që gjuha është e ashpër.

"Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar, duke shpallur në të argumente të qarta, që ju t’ua vini veshin." (Nur, 1)

I gjithë Kurani është i shpallur nga Zoti, por në këtë rast do të bëhet fjalë për një vepër dhe fenomen shumë të shëmtuar.

"Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh!"

Islami është fe e mëshirës dhe dhembshurisë, por kur bëhet fjalë për imoralitetin dhe marrëdhëniet jashtëmartesore, nuk ka dhembshuri dhe mëshirë. Islami urdhëron që të metat dhe gabimet e tjetrit të mbulohen, por në rastin e lavirit dhe të lavires, dënimin e tyre duhet t\'a dëshmojnë edhe një grup besimtarësh.

Shumë njerëz thonë:"Përse gjithë kjo ashpërsi dhe dënim kaq i rreptë?!"

Në fakt, nëse i kanë parasysh garancitë dhe ligjet që Zoti përmend për t\'a shmangur një fenomen të tillë, nuk do e bënin këtë pyetje. Në këtë sure, Zoti përmend një sërë normash etike dhe morale, të cilat janë barrierë e fortë që e mbron njeriun nga marrëdhëniet jashtëmartesore.

Në këtë sure, Zoti i urdhëron besimtarët që para se të hyjnë në një shtëpi, të trokasin dhe të kërkojnë leje. Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e tjetrit, pa kërkuar leje më parë, sidomos nëse në shtëpi ndodhen vetëm gratë. I këshillon fëmijët që mos hyjnë në dhomën e gjumit ku ndodhen prindërit, pa kërkuar leje më parë prej tyre. Allahu i urdhëron besimtarët dhe sidomos të rinjtë të ulin shikimin. I urdhëron të rinjtë të martohen dhe të zgjedhin bashkëshorten e duhur. I urdhëron femrat të veshin hixhabin dhe të mbulohen. Ai ndalon shpifjen dhe akuzat që u bëhen të tjerëve pa argumente dhe fakte. Për t\'a reduktuar në masë një fenomen të tillë i cili e përçan shoqërinë, islami ka caktuar dhe ndëshkimin përkatës.



Mos hyr në shtëpinë e tjetrit pa leje.

Thotë Zoti i madhëruar mbi këtë normë etike dhe morali:

"O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin! Nëse atje nuk gjeni askënd, mos hyni derisa t’ju lejohet e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni! Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju." (Nur, 27-28)



Këshillë për fëmijët

"O besimtarë! Skllevërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kur hiqni rrobat. Nuk ka gjynah as për ju e as për ata që, pas këtyre rasteve, të vizitoni njëri-tjetrin (pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet juve! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm." (Nur, 58)

Norma të tilla, u ngjajnë rregullave të qarkullimit rrugor, por që këta janë për brenda shtëpisë. Të gjithë këto rregulla dhe norma, me qëllim që të mbrojë shoqërinë nga devijimet dhe problemet sociale.



Ulja e shikimit.

"Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata." (Nur, 30)

Ulja e shikimit nuk është vetëm për burrat, por edhe gratë janë të urdhëruara t\'a ulin shikimin.

"Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)" (Nur, 31)



Martesa e të rinjve

"I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm." (Nur, 32)



Jo prostitucionit!

"Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote, nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to." (Nur, 33)



Mbulesa islame, hixhabi.

Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!" (Nur, 31)



Thuaji jo imoralitetit në shoqërinë muslimane!

"Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini." (Nur, 18)

"Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh." (Nur, 23)

Një njeri që akuzon një femër pa argumente dhe fakte, është i mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

"Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë." (Nur, 24-25)

Dënimi që i jepet lavirit dhe lavires, është etapa e fundit e një sërë fenomenesh që janë përhapur më parë në shoqëri. Pa u përhapur gjithë fenomenet negative të lartpërmendura, nuk mund të kemi imoralitet dhe për pasojë as edhe dënime të marrëdhënieve jashtë martesore. Islami nuk është fe që kërkon të dënojë, vrasë dhe torturojë njerëzit. Islami është fe që kërkon të mbrojë dhe ruajë shoqërinë nga fenomenet negative, të cilat e shpërbëjnë dhe e shkatërrojnë atë.



Katër dëshmitarë.

Dikush mund të pyesë: Nëse jetojmë në një shoqëri të mirëfilltë islame, ku mediat reklamojnë vetëm të mirën dhe të virtytshme, ku të rinjtë martohen me ekuivalentet e tyre, ku gruaja nderohet dhe respektohet, ku femra vishet me hixhabin dhe mbulesën islame, ku akuzat dhe shpijet për shkelje nderi nuk ekzistojnë etj... dhe ndodh që dy persona kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore, çfarë duhet bërë në një rast të tillë?

Në një rast të tillë, gjykatësi i kërkon palës paditëse të sjellë katër dëshmitarë që të dëshmojnë për këtë akt të shëmtuar. Nëse paditësi nuk sjell katër dëshmitarë, askush nuk mund të dënohet për imoralitet. Po si mund të gjenden katër dëshmitarë për një vepër që nuk kryhet veçse në ambjente të mbyllura dhe larg syve të njerëzve?

Ajeti që flet për katër dëshmitarët thotë:

"Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë." (Nur, 4)

Katër dëshmitarët duhet të plotësojnë një kriter tjetër: Të jenë njerëz të ndershëm dhe jo horra dhe të paskrupullt.

Nëse një burrë dhe një grua shihen duke bërë imoralitet nga katër dëshmitarë të ndershëm, kjo do të thotë se ata po e bëjnë një vepër të tillë hapurazi, pa pasur frikë dhe turp nga njerëzit. Në një rast të tillë, zbatohet dënimi që është përmendur në ajetet e para të sures Nur. Ky dënim jepet me qëllim që të mbrohet dhe të ruhet shoqëria nga përhapja e fenomeneve negative. Një vepër e tillë dhe në publik ku e shohin katër veta, është një sfidë ndaj shoqërisë dhe diçka e tillë duhet dënuar.

Nëse njëri nga dëshmitarët tërhiqet dhe thotë se nuk e ka parë të veprohet një vepër e tillë, tre dëshmitarët e tjerë duhet të rrihen me tetëdhjetë kamzhikë. Me këtë, kuptojmë që mos demasikimi dhe mbulimi i këtij gjynahu, është më i vlefshëm dhe i dobishëm për shoqërinë dhe vetë këta persona.

Kurse një herë tjetër, vetë Umeri i pa dy veta në imoralitet. Menjëherë i mblodhi njerëzit dhe u tha:

”O njerëz, i pashë me sytë e mi dhe i dëgjova me veshët e mi.”

Ali ibnu Ebi Talib e pyeti:”O prijës i besimtarëve, a ke katër dëshmitarë?”

Umeri i tha:”O Ali, i pashë me sytë e mi dhe i dëgjova me veshët e mi.”

Por Aliu i tha përsëri:”O prijës i besimtarëve, nëse do ua shqiptosh emrat, do të ndëshkohesh me tetëdhjetë goditje.”

Islami është fe që kërkon t\'ia mbulojë të metat tjetrit. Dënimi është vetëm për ata që gjynahet dhe veprat e shëmtuara i veprojnë në publik, ku i shohin të tjerët.

Prandaj nuk ka përse të ndihesh në siklet o besimtar nga ajeti që përmend dënimin e atyre që kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore.

"Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh!" (Nur, 2)

Ky dënim zbatohet vetëm pasi të jenë plotësuar të gjithë kriteret e një shoqërie të pastër, kritere që i kemi përmendur më lart.

Por nëse dy persona, një burrë dhe një grua, edhe pse janë besimtarë dhe jetojnë në një shoqëri të pastër dhe islame, veprojnë një gjynah, çfarë duhet bërë? Mos duhet të shkojnë në gjykatë dhe të kërkojnë të dënohen?

Në këtë rast, kemi ajetet që flasin mbi vlerën e pendimit. Në këtë sure dhe në çdo sure tjetër, sa herë që përmendet një gjynah sado i rëndë, Zoti e pason me ajete të tillë si:"Përveç atyre që pendohen..."



Përse ka marrë emrin Nur (dritë)?

Mos vallë ngaqë në këtë sure është ajeti:

"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë." (Nur, 35)

Nëse një shoqëri i zbaton gjithë porositë dhe normat që përmenden në këtë sure, kjo shoqëri i ngjan më shumë një drite të pastër dhe të dobishme. Shumë njerëz, çifte dhe familje jetojnë në errësirë, për shkak se surja Nur nuk ka asnjë vend në jetën e tyre. Shumë shoqërive u mungon drita e cila gjendet në suren Nur. Nëse do i zbatoni porositë e Zotit që janë përmendur në këtë sure, rrugët, lagjet dhe shtëpitë tuaja do të shkëlqejnë nga drita dhe vlerat njerëzore.

Prandaj, në këtë sure, përmenden shpesh ajete të tilla si:

"Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar, duke shpallur në të argumente të qarta" (Nur, 1)

"Ne ju kemi dhënë juve shpallje të qarta" (Nur, 34)

Sheriati dhe ligjet e Zotit, janë dritë me të cilën ndriçohet dhe pastrohet shoqëria.



Cili është burimi i kësaj drite?

"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë." (Nur, 35)

Ku mund të haset kryesisht drita e Allahut? Këtë e tregon ajeti pasues që thotë:

"Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje" (Nur, 36)

Nga kjo dritë përfitojnë:

"njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara." (Nur, 37)

Nëse e refuzon dritën e Zotit dhe nuk beson:

"Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari.

Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë." (Nur, 39-40)

Këtu mund të hyjnë edhe ata fenomene negative si: Akuzat dhe shpifjet kundër grave të ndershme, shikimet pa kufi, vonimi i martesës mes të rinjve, imoraliteti etj...

Pafajësia e Aishes e cila u shpall nga Zoti, është drita e cila zbuloi dashaligësinë e hipokritëve.

"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës..." (Nur, 36)

Me qëllim që drita të ndriçojë dhe të vazhdojë e ndezur, ka nevojë për llampë, kristal, vaj etj...

Po kështu, shoqëria që të vazhdojë e pastër nga fenomenet negative, nga imoraliteti, shpifjet e pabaza etj... duhet të zbatojë porositë dhe urdhërat e Zotit.

Në fund, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi ju!


http://www.vizion-islam.com/

View previous topic View next topic Back to top  Message [Page 1 of 1]

Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum

 
  •  

Free forum | © PunBB | Free forum support | Contact | Report an abuse | Free forum